Gazment Bardhi doli me akuza sot në media. Sipas deputetit, Edi Rama se ka vendosur qeverinë në dispozicion të kompanisë së ndërtimit Kastrati. Sipas Bardhit, Rama po ndryshon ligjin për t’i legalizuar ndërtimet pa leje.
Bardhi deklaroi se “3304 shqiptarë janë dënuar me burg për ndërtim pa leje këto 5 vitet e fundit. Edhe pse nuk kanë bërë si ndërtim as gradaçela si ajo e Kastratit dhe as biznes”.
Ai tha se drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe institucioni në varësi të tij, IKMT, në kushtet e shpërdorimit të detyrës, kanë refuzuar jo vetëm të marrin masa për të zbatuar ligjin në rastin konkret, por kanë refuzuar edhe të dërgojnë informacionin zyrtar të kërkuar.
Sipas Bardhit, Bashkia e Tiranës ishte njoftuar zyrtarisht prej tij për katet shtesë pa leje të Kastratit. Bardhi tha se Bashkia detyrohet të mos miratojë leje ndërtimi për kate shtesë, të cilat në fakt ishin ndërtuar.
Deputeti shtoi: “10 ditë pasi Bashkia e Tiranës detyrohet të mos e miratojë lejen e ndërtimit për shtimin e disa kateve, Edi Rama vendos Qeverinë në dispozicion të kompanisë ndërtuese “Kastrati” shpk, duke ndryshuar pikërisht nenin 17 të VKM, që pengonte Bashkinë e Tiranës në ligjërimin e 5 kateve që ishin ndërtuar pa leje, duke hequr kriterin që shtesa nuk mund të jetë më shumë se 2 %. Është VKM nr. 457/29 Qershor 2022.”
Bardhi theksoi se ky është rasti tipik i korrupsionit. Deputeti tha se këtë rast literatura e njeh si “kapje e shtetit” ose ndryshe përcaktimi i rregullave shtetërore sipas interesave klienteliste të një apo disa personave të identifikuar”.