Kryeministri i Bavarisë Markus Soder deklaroi sot nga Tirana se dita e sotme shënon mbështetjen e madhe të këtij shteti për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Soder theksoi se do ketë investime nga Bavaria në Shqipëri dhe se marrëveshjet e firmosura këtë të hënë do të forcojnë bashkëpunimin në shumë sektorë.
“Unë theksoj një situatë përfitimi për të dyja palët”, tha Soder.
“Evropa do jetë e fortë vetëm nëse marrëdhëniet mes shteteve forcohen. Nuk bëhet fjalë për ndërtimin e urave artificiale, ne ndajmë ndjenjat e vlerësimit për qeverinë dhe shpresë të madhe për atë që do të bëhet. Me marrëveshjet e sotme kemi ngritur një komision të përbashkët qeveritar. Do të vendosim në aplikim marrëveshje që kanë të bëjnë me sektorin e drejtësisë, ekonomisë, teknologjisë, bujqësia në të cilin kemi marrëdhënie shumë të ngushta. Do të çojmë përpara aspekte të zhvillimit bujqësor. Pastaj tema është arsimi dhe kultura, do ngremë këtu një shtëpi bavareze me kulturë bavareze. Shtëpitë tona të derimëtanishme ishin më së shumti në kulturën etno, rëndësi kanë dhe sipërmarrjet bavareze që janë ndër më të fuqishmet në Evropë, GDP e Bavarisë është po aq e madhe sa ajo e Arabisë Saudite. Është duke u investuar në teknologji gjigande dhe shërben për të tërhequr njerëz nga e gjithë bota dhe në këtë kontekst është me rëndësi të forcojmë marrëdhëniet tona.
Do hapim këtu një zyrë kontaktesh që do funksionojë në të dyja drejtimet, për mbështetjen e investimeve, kualifikimeve dhe anasjelltas. Askush nuk do i ndalojë ata që duan të vijnë në BE, që njerëzit nga Shqipëria të mos punonin te ne, profesione të ndryshme. Unë theksoj një situatë përfitimi për të dyja palët. Unë mendoj që është një ditë që dëshmon lidhjet mjaft të mira, dëshirojmë të punojmë më tej në këtë drejtim dhe ne si Bavari gëzohemi që të vijmë si partnerë këtu duke shpresuar që Shqipëria të gjejë sa më shpejt rrugën e BE-së dhe duke ushtruar mbështetjen tonë në Bruksel”, tha Soder.
Kryeministri bavarez vizitoi sot për herë të parë Shqipërinë, në përgjigje të ftesës së kryeministrit Edi Rama.
Ata zhvilluan një takim bilateral në Sallën e Hartave në Kryeministri, gjatë të cilit, kryeministri Rama e vlerësoi vizitën e Kryeministrit bavarez si një moment të rëndësishëm, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bavarisë për thellimin e bashkëpunimit, përmes shfrytëzimit sa më të mirë të potencialeve që ekzistojnë mes vendeve, në fusha të ndryshme.
Rama dhe Soder dakordësuan se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bavarisë, kanë njohur zhvillime të rëndësishme gjatë këtyre 3 dekadave, si në planin politik, ekonomik, arsimor – kulturor, etj.
Janë firmosur një sërë marrëveshjesh të përbashkëta, qëllimi i së cilave është ngritja e mekanizmave të përshtatshme, të cilat do të identifikojnë dhe ndihmojnë në implementimin e projekteve konkrete në fusha të tilla si: energjia, infrastruktura, turizmi, tregtia, bujqësia, mjedisi, shëndetësia etj.