Një gënjeshtër futi në izolim Australinë Jugore. Konfirmimi erdhi nga policia që saktësoi se masa kufizuese ishte marrë në bazë të një deklarate false të një personi me Covid-19 për lidhjen e tij me një biznes picerie.
Izolimi nisi të mërkurën pasi shteti zbuloi 36 të infektuar me koronavirus, përfshirë rastin e parë të transmetimit lokal që prej prillit. Por e gjithë kjo do të ishte shmangur nëse personi do të tregonte të vërtetën, që punonte me turne në piceri.
Në vend të kësaj, ai tha se kishte shkuar atje për të blerë një picë. Kjo deklaratë shtyu zyrtarët shëndetësorë të Australisë Jugore që të mendonin se personi ishte infektuar gjatë një ekspozimi të shkurtër dhe se transmetimi ishte i një shkalle shumë të lartë.
“Të them se jam i inatosur për veprimet e këtij individi është e kuptueshme. Aksionet egoiste të tij kanë vendosur të gjithë shtetin në një situatë shumë të vështirë. Veprimet e tij patën ndikim te bizneset, individët, familjet dhe kjo është e papranueshme”, u shpreh Steven Marshall, kryetar i Australisë Jugore.
Ai shtoi se vazhdojnë përpjekjet për të lokalizuar mijëra persona që kanë pasur kontakt me picerinë dhe u bëri apel qytetarëve që të testohen për koronavirus.
Gjithashtu, kryetari i Australisë Jugore shtoi se masa e izolimit do të hiqet më shpejt nga sa parashikohej. Sa i përket personit që shkaktoi gjithë këto zhvillime, policia tha se ai nuk do të ndiqet penalisht pasi nuk ka një ligj që dënon ata që gënjejnë.
Që prej fillimit të pandemisë, Australia e ka mbështetur luftën e saj ndaj virusit në izolime strikte, testime masive dhe gjurmime agresive për të zeruar numrin e rasteve të reja.