Nga Martin Sandbu
Dy përvjetorët që shënojmë këtë vit – 100-vjetori i Revolucionit të Tetorit në Rusi dhe një dekadë që nga fillimi i krizës financiare globale – kanë më shumë të përbashkëta, se sa duket në pamje të parë. Të dy ngjarjet janë shumë të rëndësishme. Revolucioni i tetorit çoi në një diktaturë, e cila do të përhapej gjatë shekullit të 20-të si një konkurrent për hegjemoni kundër fashizmit (në gjysmën e parë) dhe liberalizimit demokratik të tregut (në të gjithë shekullin). Kriza globale financiare, ndërkohë, shkundi nga themelet modelin që kishte dalë fitimtar nga fundi i luftës së ftohtë.
Komunizmi trullosës që blloku Sovjetik kishte zhvilluar deri në vitet 1980, u rrëzua nën peshën e kontradiktave të veta ekonomike dhe politike. Trazirat politike të vitit të kaluar tregojnë se tani po vështrojmë, për të kuptuar nëse ekonomitë e tregut të hapur do të pësojnë të njëjtin fat.
Por ngjashmëritë shkojnë më thellë sesa thjesht shkalla historike e dy ngjarjeve. Përmbajtja, gjithashtu, e rrezikut aktual ndaj liberalizimit të tregut të lirë, është e njëjtë me atë që shembi rivalin e saj.
Komunizmi dështoi sepse bëri dy lloje gënjeshtrash. E para ishte që tradhëtoi ëndrrën që kishte tërhequr fillimisht drejt tij, me miliona njerëz: një shoqëri e barazisë, solidaritetit dhe vetë-përmbushjes, nëpërmjet qëllimit kolektiv. Besimi në këtë ëndërr jetoi më gjatë sesa mund të justifikohej, edhe në vetë qendrën e komunizmit – dhe më gjatë akoma, në perëndim. Në fund, u rrëzua prej realitetit.
Gënjeshtra e dytë ishte një sistem ekonomik i bazuar në gënjeshtra dhe vetë-mashtrim. Ai është harruar më së shumti, por një debat i vërtetë zieu për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të: nëse planifikimi qendror apo tregjet e decentralizuara do të siguronin alokimin më efikas të burimeve. Ata që mbështesnin kontrollin shtetëror të mjeteve të prodhimit, thoshin se vetëm planifikimi mund të kapërcejë humbjet e qarta të burimeve, që përfshihen në papunësinë masive të kapitalizmit dhe mungesat e përsëritura të kërkesës, që shkaktojnë recesione.
Në praktikë, natyrisht, planifikimi qendror ka qenë i tmerrshëm në prodhimin dhe shpërndarjen e mallrave që dëshironin qytetarët e vet. Por në vend që të korrigjohej, ekonomia e planifikuar do ta kthente planin në një gënjeshtër të madhe, rreth së cilës duhej të reshtoheshin bindjet publike të të gjithëve, edhe pse privatisht nuk ishin dakord. “Ju bëni sikur paguani ndërsa ne bëjmë sikur punojmë”, ishte një shaka që qarkullonte nga Rostocku në Vladivostok, por edhe pasqyrim real i asaj që ndodhte.
Ndodhi vetëm shumë vonë që, konsensusi intelektual mbështeti mendimin e Friedrich von Hayek, i cili thoshte se çmimet fleksibël të tregut përmbajnë më shumë informacion, sesa çdo mekanizëm planifikimi mund të shpresojë të mbledhë me planifikim qendror; dhe se vendimmarrja e shpërndarë vepron në mënyrë më efikase, sesa mund të bëjnë autoritetet shtetërore. Kjo ide ndihmon shumë në shpjegimin e hendekut gjithnjë në rritje të prosperitetit, mes kapitalizmit dhe botës komuniste aty nga fundi i luftës së ftohtë. Megjithatë, pati një zgjim të fortë me krizën globale financiare, që cënonte çdo pretendim të kapitalizmit financiar perëndimor, se është mënyra më e mirë për të organizuar një ekonomi.
Epifania e Hayekut në lidhje me mekanizmin e çmimeve nuk është e gabuar, por është e paplotë. Çmimet e tregut të mallrave dhe shërbimeve janë me të vërtetë një aparat informativ më i fuqishëm se çdo planifikim qendror. Por kriza tregoi se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për çmimet e aseteve.
Nëse plani pesëvjeçar ishte gënjeshtra e madhe e bllokut sovjetik, ja tek është ajo e kapitalizmit: vlerat e tregut të aseteve financiare dhe të tjerave, reflektojnë me përpikmëri vlerën ekonomike që ato përfaqësojnë.
Ajo që ndodhi 10 vjet më parë ishte vetëdijësimi i tmerrshëm, që kërkesat financiare të akumuluara gjatë viteve të bumit të mëparshëm nuk u shtuan, se prodhimi ekonomik i ardhshëm që pretendonin ishte i pamjaftueshëm, që të gjitha të përmbusheshin plotësisht.
Shkurt, pasuria që njerëzit besonin se zotëronin në fakt nuk ekzistonte. Kur një numër i mjaftueshëm njerëzish panë se perceptimi i tyre për pasurinë ishte i pavërtetë, sistemi i çmontua. Çorientimi dhe mosbesimi që ka pasuar, si në tregje, ashtu edhe në politikë, ishte ajo që pritej, kur miliona njerëz kuptojnë se po jetjnë në një gënjeshtër.
Një gënjeshtër pasoi një tjetër, teksa liberalizmi i tregut, nga ana e vet, tradhëtoi ëndrrën që kishte premtuar. Ekonomitë perëndimore janë sot shumë më të varfëra se sa kish parashikuar tendenca para krizës. Kriza dhe periudha pas saj kanë lënë të rinjtë, sidomos, me shumë pak arsye për të shpresuar që do të kenë të njëjtat shanse për begati, si edhe prindërit e gjyshërit e tyre.
Ata që duan që kapitalizmi liberal demokratik të lulëzojë sërish, duhet t’i kushtojnë vëmendje dy mësimeve nga ky krahasim.
Së pari, një sistem social mund t’i mbijetojë zhgënjimit për një kohë të gjatë. Këtë e tregoi komunizmi; ashtu siç bën edhe kapitalizmi, premtimi i të cilit u prish disa dekada përpara krizës, për disa grupe. Por kur njerëzit nuk mund të mbështeten më në mjetet e tyre të jetesës, mbështetja për sistemin avullon. Megjithatë, shoqëritë më elastike janë ato që e pranojnë të vërtetën mbi vetveten. Mashtrimi copëton. Liberalizimi i tregut është në rrezik, sepse sistemi i tij financiar na lejoi të tregonim gënjeshtra; dhe nuk u vetëdijësua si duhet për humbjet, kur ato u bënë të pamohueshme.
Populistët e majtë dhe të djathtë zhyten nostalgjinë e kohëve të arta të ekonomisë së përzier. Ata kanë të drejtë kur thonë se gara midis planifikimit dhe laissez-faire duhet të zgjidhet nga një përzierje e të dyjave. Leksioni më i madh nga ajo garë është se çdo sistem social dhe ekonomik duhet të mbetet i ndershëm – jo vetëm i drejtë, por i vërtetë. Dhe ky është një radikalizëm, që populistët janë absolutisht të pakualifikuar për të na e ofruar. / Financial Times – Bota.al