Çfarë i lidh Keidi Baren dhe Armando Sadikun me aktorin George Clooney? Sigurisht që vetëm futbolli mund t’i bëjë bashkë, po si? Aktori i famshëm ka gjasa të bëhet pronari i dy futbollistëve të Kombëtares së Shqipërisë.
Te Malaga, që në momentin që erdhi sheiku Al Thani, janë mësuar me histori filmash. Pronari i klubit spanjoll në fillim investoi fuqishëm, por më pas vendosi të mos japë më para. Në këto kushte, Malaga ka dalë në shitje dhe së fundi në skenë ka dalë një kompani amerikane kinematografike e lidhur me aktorin e njohur, George Clooney.
Malaga e dikurshme e Al Thanit, që shkonte deri në çerekfinale të Championsit, me lojtarë si Demikelis apo Santa Cruz, përveç yllit Isko, është një kujtim i largët. Sheiku i ka mbyllur tashmë “rubinetet” dhe Malaga, ku luajnë dy futbollistët e Kombëtares, gjendet në “Segunda Division” dhe po kalon një situatë jo të mirë. Ka një luftë të brendshme mes pronarëve dhe aksionerëve të vegjël.
Për Malagën janë interesuar tashmë edhe sheikë të tjerë, por ditët e fundit është shfaqur edhe një konsorcium i lidhur me Hollivudin, më saktë me George Clooney. Lajmin e ka bërë të ditur Antonio Aguilera, presidenti i grupit të aksionerëve të vegjël, për “Canal Malaga”.
“Bëhet fjalë për një grup sipërmarrësish amerikanë që është interesuar për të blerë shumicën e aksioneve të Malagës nga Al Thani. Ky grup është i lidhur me aktorin George Clooney dhe jemi duke negociuar. Ka edhe të interesuar të tjerë me potencial të madh ekonomik, por problemi është se askush nuk pranon ta paguajë shifrën e çmendur që kërkon Al Thani, 100 milionë euro. Ai e di që ky konsorcium afron më shumë, ndaj dhe po bisedohet”, – u shpreh Aguilera.