Georgina Rodriguez nuk është supermodele, edhe pse ndan ngjashmëri të caktuara me yjet e pasarelave. Ishte pikërisht puna e saj, si një asistente dyqani, ajo që mundësoi takimin e parë me Cristiano Ronaldon.
Vetëm së fundi, në një intervistë telefonike me revistën “Elle” në Itali, 25-vjeçarja ka pranuar se historia me futbollistin e Juventusit, asokohe te Reali i Madridit, ishte një “dashuri me shikim të parë”.
Takimi i parë ka qenë pikërisht në qershor të 2016-s.
“Ishim te Gucci, ku unë punoja si asistente shitjesh. Disa ditë më vonë, u pamë sërish në një tjetër shfaqje të kësaj marke. Pikërisht në këtë takim të dytë mundëm të bisedonim nën një atmosferë të qetë, jashtë mjedisit tim të punës. Por, sigurisht që ishte dashuri me shikim të parë, për të dy ne”.
Bukuroshja brune, e cila u zhvendos nga Madridi për në Torino së bashku me Cristianon, pasi ky i fundit firmosi me kampionët e Italisë, përshkroi më pas një panoramë idilike të jetesës së saj në qytetin italian, me partnerin e saj prej 3 vitesh tashmë.
Çifti në fjalë kanë një vajzë njëvjeçare, Alana Martina, ndërsa Georgina e lindur nga një nënë spanjolle dhe baba argjentinas, po rrit edhe binjakët gati dyvjeçarë të Cristianos, Eva dhe Mateo, por edhe djalin e tij 8-vjeçar, Cristianinho.
Ndërkohë, në një intervistë për spanjollen “Hola!” në shkurt, ajo pranoi se do të donte të bëhej gruaja e futbollistit, gjithsesi hodhi poshtë zërat që flasin për fejesën e tyre.