Gjykata e Posaçme ka vendosur që të kalojë për gjykim dosjen “Gërdeci” në ngarkim ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu.
Gjykata zhvilloi këtë të enjte një seancë paraprake ku shqyrtoi kërkesën e SPAK për të marrë të pandehur ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe vendosi që çështjen ta kalojë për gjykim.
Ndaj Fatmir Mediut do të zhvillohet gjykim i shkurtuar. Seanca e radhës gjyqësore ndaj Fatmir Mediut do të zhvillohet më 24 Prill ora 08:30.
Avokati i familjes Durdaj, që ka qenë viktimë e shpërthimit në Gërdec, kërkon që në gjykimin ndaj Mediut të jenë të pranishëm edhe familjarët e viktimave.
“E vetmja arsye që mund të kuptohet, sipas prokurorëve akuza në fjalë nuk paska lidhje me shpërthimin. Unë nuk e konsideroj këtë të vlefshme si procedurë, familjarët duhet të ishin aty. Kemi mundësitë tona të ankimit. Dosja nuk është e plotë. Ky proces do të jetë me pjesëmarrjen e familjarëve, nuk ka për të shkuar dot para pa praninë e tyre dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe”, u shpreh avokati Dorian Matllija.
Zamira Durdaj shprehu pakënaqësinë me gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK.
“Nuk jam e kënaqur me këtë veprim që bënë. Është e turpshme, unë do i drejtohem KLP-së dhe KLGJ-së, do të kenë ankim nga unë. Duhet të shkarkohet SPAK-u i gjithi. Kam pakënaqësi edhe për prokurorët, edhe për gjyqtarët. Në ankimim në KLP dhe KLGJ. Zamira do të vazhdojë betejën. Është turp, vetëm për të zezën e tyre e kanë, jo për mua”, deklaroi Zamira Durdaj.
Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në bazë të Kodit Penal dhe shpërdorim detyre në bazë të Kodit Ushtarak.
Megjithatë procesi hetimor i zhvilluar në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu është shoqëruar me kundërshtim nga avokatët e tij të cilët e kanë konsideruar këtë një proces i cili nuk mund të zhvillohet për shkak të parashkrimit të veprave penale dhe kohës së gjatë të kaluar dhe duke pretenduar kështu se i gjithë procesi ka nisur politikisht.