5 ekspertet që kanë përpiluar akt ekspertimin ekonomiko-financiar të dosjes “Gërdeci” janë paraqitur sot para gjykatës në seancën ndaj ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Ekspertët do t’i përgjigjen pyetjeve të palëve, në një kohë që në seancë avokatët e Mediut kërkuan kryerjen e një ekspertimi të ri me 3 ekspertë të pavarur.
Referuar seancës së kaluar, avokati Henrik Logori tha se një nga ekspertët deklaroi se kishin kryer akt-ekspertimin ekonomiko financiar, jo si ekspert, por si nëpunës publik i atashuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
“Besoj se barazia e armëve në proces është e drejtë e padiskutueshme. Gjithë kjo situatë e zhvilluar dhe seancën e kaluar edhe sot tregon një lloj tendence për të shkuar në absurditet. Ashtu si pohuan, ekspertë nuk janë betuar si ekspertë. Thjeshtë janë atashuar pranë PP. Ky proces është krejt formal, pa asnjë lloj substance për të shkuar tek e vërteta. Nëse doni të kuptojmë në ka pasur dëm ekonomik apo jo, duhet të pranohet kërkesa për kryerjen e një akti të ri”, mësohet të ketë thënë Mediu.
Për rrjedhojë, Gjykata e Posaçme me kërkesë të ekspertëve për t’u njohur me aktin e përpiluar prej tyre shtyn seancën për më 26 qershor.