Re të zeza mbi kokën e Marco Giampaolos. Humbja ndaj Torinos e treta për Milanin në këtë sezon, ka bërë që e ardhmja e trajnerit në stolin e kuqezinjve të vendoset në rrezik serioz kjo edhe për faktin se ky Milan nuk di të shënojë dhe nuk ngjan aspak me Sampdorian që realizonte me një mesatare të frikshme gjatë periudhës që drejtohej nga Giampaolo. 3 gola në vetëm 5 ndeshje dhe dy prej tyre të ardhur nga pika e bardhë e penalltisë janë shumë pak për një skuadër që pretendon zonën Champions.
Sfida e ardhshme ndaj Fiorentiëns në San Siro mund të vendosë fatet e trajnerit që në rast të një rezultati negativ mund të shkarkohet nga stoli i Milanit pas vetëm 6 javësh. 3 janë kandidatët që shikohen si pasues të Giampaolos në stolin e Milanit.
Në pole-position qëndron ish-trajneri i Interit Luciano Spalletti i cili aktualisht është i papunë, por paguhet nga zikaltrit pasi është nën kontratë edhe për dy vite. Claudio Ranieri është një tjetër alternativë me këtë të fundit që në rast se do të ulet në stolin e Milanit do të bëhet një nga të paktët trajnerë që në karrierën e tyre kanë drejtuar 4 skuadrat big të Serie A, Juve, Inter, Roma dhe Milan.
Emri surprizë dhe që nuk pritej nga askush është ai i rikthimit të Genaro Gattusos. Mund të tingëllojë e çuditshme, por Maldini dhe Boban po studiojnë me detaje çdo alternativë.