1568 – Perandoria e Shenjtë Romake pranon t’i paguajë haraç perandorisë Osmane kundrejt paqes.
Ushtria osmane ishte më e madhja në Evropë, marina osmane kontrollonte të gjitha rrugët detare të Mesdheut lindor, dhe kryeqyteti i saj Stambolli ishte pesë herë më i madh sesa Parisi. Burimet e perandorisë osmane dukeshin pa pafund; vrulli saj, i pandalshëm; gjurmët e pushtimit në emër të Islamit, të pashlyeshme, veçanërisht në Ballkan; Evropa e krishtere kërkonte medoemos paqe, kundrejt çdo çmimi në të holla.
1600 – Filozofi Giordano Bruno u dogj i gjallë në Campo de Fiori në Romë, i akuzuar për herezi. Ai kishte thënë se universi është i paskajshëm, duke sfiduar madje edhe Kopernikun sipas të cilit, Gjithësia kufizohej brenda sistemit tonë diellor (mbrapa diellit nuk kishte gjë tjetër).
1776 – Botohet vëllimi i parë i librit “Tkurrja dhe rënia e Perandorisë Romake” nga Edward Gibbon (1737-1794).
Gibbon ishte historian anglez dhe anëtar i Parlamentit. Puna e tij më e rëndësishme, “Historia e tkurrjes dhe rënies së Perandorisë Romake”, në gjashtë vëllime u botua mes viteve 1776-1788. Libri është i njohur për prozën ironike dhe cilësore, përdorimin e burimeve primare, dhe kritikat e hapura ndaj fesë së institucionalizuar. Gibbon ishte ai që krijoi shprehjen mbi Shqipërinë si “një tokë që shihet nga brigjet e Italisë, dhe njihet më pak sesa brendësitë e Amerikës”. Në vëllimin VI të librit te tij, Gibbon i kushton rreth 10 faqe Gjergj Kastriotit – Skenderbeu. Gibbon përgëzon Marin Barletin për hollësitë nga jeta e Skënderbeut, por edhe kritikon autorin herë-herë për pasaktësi, për shembull, kur Barleti thotë se Gjergj Kastrioti u mor peng në moshën 9-vjeçare nga Sulltan Muradi, ndërsa këtij i duheshin edhe 9 vjet të bëhej sulltan. Gibbon gjithashtu shprehet i zhgënjyer sesi Barleti nuk sjell thuajse asnjë hollësi rreth Gjon Kastriotit, atit të Skënderbeut. Por edhe Gibbon gabon kur thotë se Skënderbeu vdiq me 1466; viti 1468, i përcaktuar nga Fan Noli, tashmë është pranuar si viti i saktë i vdekjes së heroit. Gibboni i bën gjithashtu një përshkrim karakterit të Skënderbeut: “Sjelljet e tij ishin popullore, por disiplina e tij ishte e rreptë, dhe çdo ves sado i vogël nuk kishte vend në ushtrinë e tij: me shembullin e vet forcoi komandën, dhe nën sjelljen e tij, shqiptarët ishin të pamposhtur sipas medimit të tyre dhe atë të armiqve të tyre”. Edward Gibbon kritikon edhe kultin e individit; kur fati i një populli lidhet ngushtë me atë të një personi të vetëm, dhe e argumenton këtë me ngjarjet që pasuan pas vdekjes së Skënderbeut; “Shkatërrim i menjëhershëm i vendit të tij mund të kontribuojë për lavdinë e heroit, por, sikur ai t’i kishte peshuar pasojat e dorëzimit dhe të qëndresës, një atdhetar ndoshta nuk do ta kishte pranuar garën e pabarabartë e cila do të varej nga jeta dhe gjenialiteti i një njeriu të vetëm” (shqiptarët nuk do të kishin ikur masivisht, dhe vendit nuk do t’i ishin dashur 500 vjet për t’u rimëkëmbur nga goditja hakmarrëse e osmanëve).
1801 – SHBA – Dhoma e Përfaqësuesve e prish barazimin e votave të kolegjit ellektoral, dhe zgjedh president Thomas Jeffersonin ndaj kandidatit tjetër, Aaron Burr i cili sipas ligjeve të atëhershme, u bë nënpresident.
1904 – Opera e Giacomo Puçinit “Madam Butterfly” (Një tragjedi japoneze) shfaqet për herë të parë në Milano. Midis viteve 1915 – 1920, këngëtarja më e mirë-e njohur e operas në Japoni, Tamaki Miura fitoi famë ndërkombëtare për shfaqjet e saj si CIO-CIO San. Statuja e saj, së bashku me atë të Puçinit, ngrihen në Kopshtin Glover në Nagasaki, qytet ku ngjarja e përshruar në opera ka ndodhur.
1972 – Presidenti amerikan Richard Nikson niset nga Uashington DC për vizitën historike në Kinë. Jehona e vizitës ishte e gjerë, dhe solli ndryshim të rëndësishëm në bilancin e Luftës së Ftohtë, SHBA me Kinën në krah kundër Bashkimit Sovjetik. Shprehja “Nikson po shkon në Kinë”, përdoret tani si metaforë për një veprim të papritur ose të pazakontë nga një politikan.
2008 – Kosova shpall pavarësinë nga Serbia – ishte ditë e diel – kërkesa për njohje iu dërguan menjëherë të gjitha qeverive të botës. Përgjigja e parë erdhi të hënën më 18 shkurt 2008 nga Afganistani, që e njohu Kosovën si shtet të pavarur. Më 8 mars 2008, ministri i parë i Jashtëm që e vizitoi Kosovën ishte Carl Bildt i Suedisë. Anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, vazhdojnë të jenë të ndara; SHBA, Britania dhe Franca e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Rusia e ka kundërshtuar dhe Kina ka shprehur keqardhje. Edhe bota vazhdon të jetë e ndarë.
2012 – Presidenti i Gjermanisë, Christian Wulff, jep dorëheqjen lidhur me një skandal korrupsioni kur kishte qenë kryeministër i Saksonisë.
2012 – Rreth 70 objekte të lashta Olimpike u vodhën nga Muzeu Arkeologjik i Greqisë.