Kryeministrja italiane Giorgia Meloni prej së hënës ndodhet në qytetin e Vlorës, nga ku udhëtoi me traget prej Brindisit, duke pranuar ftesën për pushime private nga ana e homologut Edi Rama.
Edhe pse fillimisht u raportua se do të ishte një vizitë njëditore, sipas gazetës italiane ‘La Stampa’, që ka siguruar të vetmen video nga pushimet e Melonit në brigjet e Dhërmiut, kryeministrja pritet të largohet të enjten.
Prestigjiozja italiane ka zbardhur detaje nga kjo vizitë e Melonit, duke hedhur dyshime për një darkë private ku ka qenë i pranishëm edhe ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha.
Artikulli i La Stampa:
Duhej të ishte një udhëtim njëditor, por përkundrazi u kthye në një festë katërditore shqiptare, në plazhet e smeralda të bregdetit të Adriatikut, mes Vlorës dhe Dhërmiut.
Qëndrimi i kryeministres Giorgia Meloni në tokën e shqiponjave duhet të përfundojë sot, për të dhe familjen e saj, vajzën Ginevra dhe partnerin Andrea Giambruno, kunatin dhe njëherësh ministrin e Bujqësisë Francesco Lollobrigida dhe motrën e saj Arianna, plus disa bashkëpunëtorë të ngushtë.
Një vizitë shumë private, të cilën vetëm pak turistë kanë mundur ta filmojnë. Dhe kjo kërkonte masa sigurie mbresëlënëse, nga toka dhe nga deti. Nuk pati as takime me komunitetin rezident italian, dhe lëvizjet ishin vetëm nga deti, me një motobarkë luksoze, për të mos lejuar që çdo gazetar apo kurioz t’i afrohej. Kryeministrja ishte e ftuar e kolegut të saj Edi Rama.
Dhe e gjitha ishte një vajtje-ardhje përmes detit, për të eksploruar plazhet e bukura dhe jo tamam të pacenuara të vendit. Për to – siç bëjnë shaka vetë shqiptarët – “këtë vit janë të kolonizuara nga ju, dëgjojmë të flitet vetëm italisht, nuk ju durojmë dot më!“.
Mbërritja ishte të hënën. Skuadra e Melonit lëvizi me tragetin e kompanisë greke Starlines, por shërbimi menaxhohet nga shqiptarët, të cilët nuk do ta kishin njohur, thonë disa burime. Për ta pritur në portin e Vlorës kishte zbritur vetë Rama, i cili e kishte ftuar vazhdimisht në raste publike muajt e fundit dhe më në fund vizita u realizua. Transferimi i bërë nën shoqërimin e makinave blu në vilën verore, ndërsa kamerierë dhe shërbëtorë janë parë disa herë të hyjnë e dalin nga rezidenca.
Dhe pastaj, udhëtimi në Jug. Pardje, një motobarkë e madhe mbërriti për t’i marrë. Drejtimi – Dhërmiu – ku Edi Rama ka vilën e tij verore.
Dhe mendohet të ketë ndodhur edhe një takim me ish-kryeministrin britanik Tony Blair, tani lobist dhe konsulent i Ramës, i cili kishte mbërritur të dielën në Shqipëri me helikopter, siç ka bërë prej disa vitesh. Ai qëndronte në Himarë, shumë afër Dhërmiut, por darka me dy kryeministrat është bërë në Vlorë, ku i ftuar ishte edhe kryetari i bashkisë së qytetit. Dhe pastaj, Blair është larguar përsëri.
Shumë pak imazhe të kryeministres, të publikuara ekskluzivisht nga La Stampa, janë filmuar nga turistët që panë motobarkën të shkonte e të vinte. Kjo është padyshim vera shqiptare, me një bum prej 6.5 milionë pushuesish, nga të cilët gjysmë milioni vetëm nga vendi ynë. Ka qenë vetë Rama ai që ka festuar, duke e hedhur poshtë me një postim ironik, ku krahasonte në një fotomontazh turmën e italianëve që zbrisnin nga anijet me shqiptarët e dëshpëruar që zbarkuan në brigjet tona në ’91 nga e famshmja “Vlora”.
Para Melonit edhe këngëtarja shqiptare Dua Lipa kishte zgjedhur Dhërmiun për relaksin veror. Në pamjet e motoskafit të kryeministres nën rezidencën e Ramës, dëgjohet dikush duke komentuar: “Tani e kuptojmë pse gjithë kjo polici, edhe ajo vjen me gomone nga Brindizi”.
Në Vlorë, ku ka qëndruar dje kryeministrja dhe ku sot do të takohet sërish me Ramën për përshëndetje. Aty jetojnë gati 5000 italianë. Aty ndodhet gjithashtu selia e konsullatës së përgjithshme. Por gjatë festave shumë private të kryeministrit nuk pati asnjë rast për të organizuar takime me asnjë prej tyre.
Mirëpo, mes darkave dhe zhytjeve në det, vizita shqiptare nuk ishte vetëm një mundësi pushimi. Ka shumë dosje të hapura për t’u ndarë me kolegun nga Tirana. Duke filluar me gazsjellësin TAP, pjesë e korridorit jugor të gazit, i cili transporton gazin natyror nga fusha në “Shah Deniz” e Azerbajxhanit, për në Leçe dhe më pas në Evropë. Dëshira për të dyfishuar pompat përforcuese është në diskutim.
Por çështja tjetër në tryezë është projekti për një ujësjellës që duhet të arrijë në Pulia nga Gjirokastra. Shqipëria ushqehet kryesisht me energji të rinovueshme. Por nuk është më pak e pasur me lëndë djegëse fosile, si nafta. Eni ka një kontratë të madhe dhe do të nisë shpimet për gaz dhe naftë në breg nga viti i ardhshëm. Edhe më mirë shkon për Shell-in, e cila ka nisur një investim 5 miliardë në Rrëshen, sipër Tiranës për nxjerrjen e naftës. Duket se kryeministrja Meloni i ka kërkuar edhe kolegut të saj Rama mbështetje për kandidaturën e Romës për organizimin e Expo.
Së fundi, ka një projekt para qeverisë aktuale që do të donte të ndërtonte një central bërthamor në Shqipëri, por me investime italiane.
Mes çështjeve gjeopolitike, një për të gjithë stabilitetin e Ballkanit, me Shqipërinë aleate të madhe të Perëndimit, dhe atyre ekonomike, Meloni dhe Rama janë tashmë shumë më tepër se partnerë.
Miq të veçantë, “vëllai i Italisë dhe motra e Shqipërisë”, siç ai bëri shaka në një intervistë për La Stampa. Së shpejti do të dimë edhe se çfarë solli pushimet mes ujërave të kristalta të Vlorës dhe Dhërmiut në aspektin ekonomik dhe gjeostrategjik.