Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka shtyrë konferencën e saj të fundvitit për në 4 janar për shkak të gjendjes shëndetësore.
Sipas mediave italiane, Meloni ka një problem me “otolitet” që e ka detyruar të qëndrojë e shtrirë në shtrat dhe në errësirë për gati dy ditë.
Mbrëmjen e së mërkurës, Meloni u vizitua në shtëpi nga një mjek ORL, i cili diagnostikoi “sindromën otolitike” dhe kreu manovra për zgjidhjen e situatës.
Fillimisht, sqarojnë bashkëpunëtorët e kryeministrit, mendohej se simptomat si humbje ekuilibri dhe marrje mendsh që iu shfaqën Melonit, ishin “pasojë e gripit”.
Kryeministrja prej disa ditësh vuante nga të përzierat dhe marrje mendsh, duke bërë që të dyshohej edhe për veshin e mesit.
Në përfundim të vizitës, specialisti i ORL konstatoi se diagnoza për Melonin ishte “vertigo beninje paroksizmale pozicionale”.
“Tashmë sot në mëngjes, pas manovrës dhe me kollaren që pengonte lëvizjet e befasishme, ajo u ngrit dhe po përmirësohet. Do të duhen edhe disa ditë si masë paraprake”, tha mjeku.
Kryeministres i ishte dashur të anulonte dy herë takimet për gripin. Meloni “sinqerisht e keqardhur”, kishte shpresuar që nesër të rifitonte forcën për t’iu nënshtruar breshërisë së zakonshme të pyetjeve, aq sa kryetari i Dhomës, Lorenzo Fontana, kishte shtyrë shkëmbimin e përshëndetjeve me gazetarët, i planifikuar më parë për të premten 29 dhjetor, për t’i lënë vend komunikimit të Melonit.
Por çfarë janë otolitet?
Ato kryejnë një funksion të rëndësishëm në veshin e brendshëm që është rregullimi i ekuilibrit të trupit. Otolitet janë grimca të vogla, të përbëra nga oksalati dhe karbonati i kalciumit, të zhytura në një substancë xhelatinoze që mbulon organet otolitike të sistemit vestibular: utrikula dhe sakula.
Otolitet, duke qenë më të dendura se xheli që i rrethon, lëvizin në bazë të pozicionit dhe lëvizjes së kokës, duke stimuluar qelizat e qimeve shqisore të veshit. Këto, nga ana tjetër, transmetojnë sinjale në tru që tregojnë ndryshime në përshpejtimin e trupit në hapësirë.
Në disa rrethana, otolitet mund të shkëputen nga matrica xhelatinoze dhe të migrojnë në kanalet gjysmërrethore, të cilat janë përgjegjëse për perceptimin e rrotullimit të kokës. Në këtë mënyrë, kanalet gjysmërrethore marrin informacion të pasaktë dhe bëhen tepër të ndjeshëm ndaj ndryshimeve në pozicionin e kokës që normalisht nuk do të kishin asnjë efekt. Kjo situatë shkakton vertigo beninje pozicionale paroksizmale, e cila manifestohet me episode të shkurtra por intensive marramendjeje.