Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni mund të jetë në Tiranë javën e ardhshme, të mërkurën 5 qershor. Këtë e konfirmojnë burime qeveritare, raportojnë mediat italiane.
Vizita do të bëhet në kuadër të Javës së Kulturës italiane në Shqipëri.
Ende nuk dihet agjenda e takimeve që Kryeministrja italiane mund të ketë në Tiranë, por në një intervistë të fundit për RAI3, ajo ka mbështetur dhe vlerësuar homologun e saj shqiptar, Edi Rama.
“Projekti në Shqipëri po përparon, do të funksionojë së shpejti. Do të jetë një projekt strategjik. Politika e menaxhimit të migracionit në BE mund të ndryshojë shumë. Më bën shumë për të qeshur që eksponentët e Partisë Demokratike, të cilët më parë na sulmuan se ne po ndërtonim një Guantanamo, tani ankohen për vonesat në ndërtimin e Guantanamos. Projekti do të funksionojë dhe mendoj se është strategjik.
Ky projekt dëshmon se ne po i bëjmë këto lëvizje për të mirën e vendit tonë. Të gjithë duhet të kuptojnë se nëse protokolli me Shqipërinë funksionon siç duhet, do të ndikonte pozitivisht në menaxhimin e duhur të refugjatëve të paligjshëm edhe në nivel europian”, tha Meloni.
Vizita e Melonit zhvillohet në një kohë kur opozita në Itali ka krijuar polemika për ndërtimin e dy kampeve për emigrantët në Shëngjin dhe Gjadër, rezultat i memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar nga Italia dhe Shqipëria, më 6 nëntor të vitit të kaluar.
Vizita e Melonit në Tiranë zhvillohet pak ditë përpara zgjedhjeve për Parlamentin Europian që do të zhvillohen në 8-9 qershor.