Në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila ishte i ftuar albanalogu Mark Palnikaj për të folur lidhur me Kanunet që ekzistojnë në vendin tonë dhe si e kanë rregulluar ato jetën edhe në momente kur shteti nuk ka qenë ekzistent.
Albanologu ka treguar dhe një histori për një nga gjakmarrjet që ka zgjatur më shumë në kohë. Ai tregoi se ngjarja zgjati për shumë vite dhe u vranë 45 veta, ku theksoi se një gjak ende nuk ishte marrë edhe sot e kësaj dite.
“Ka ndodhur njëherë në Tropojë, në një xhami, në dhjetor dhe kishtë rënë borë. Në dëborë ishin gjurmët e një vajze. Një djalë kur doli nga xhamia nxori koburen dhe i ra gjurmës. Filloi sherri dhe janë vrarë 45 vetë. Ka zgjatur disa vite dhe një gjak është edhe sot e kësaj dite ende pa u marrë. Në Nikaj Mërtur ka pasur gjak që vazhdonte deri në 50 vite”, u shpreh albanologu.
“Në Kanun miku është më i rëndësishëm se djali!”
Studiuesi foli për rëndësinë e madhe që miku kishte në Kanun. Ai tha se miku ishte i shenjtë dhe ishte në besën tënde nëse ishte në shtëpinë tënde. Nëse diçka i ndodhte duhet që t’i merrje gjakun.
“Njerëzit falnin djalin e shtëpisë dhe mikun jo. Gjaku i mikut nuk falej kurrsesi. Për mikun duhej vrarë një njeri, nuk lahej me para. Vetëm fisi i Shalës e ka këtë gjë pra nëse e vret atë që të vrau mikun nuk paguan gjak. Nëse një njeri vritej në një fshat, fshati kishte detyrë ose të gjente kush e vrau ose të paguanin gjakun së bashku gjithë fshati. Nëse vrasësi e vriste dikë dhe fshihej atëherë do t’i merrej një gjak plus. Po t’i merrje armën kishe dhe një gjak plus për armën”, tha Palnikaj.