Gjashtë miqtë më të famshëm në botë, protagonistë të serialit “Friends” duket se janë në hapat e fundit të finalizimit të një marrëveshjeje, sipas të cilës do të ribashkohen për një spektakël 1-orësh, në emisionin e Ellen DeGeneres.
Për këtë paraqitje të tyre, Jennifer Anniston, Lisa Kudrow, Courtney Cox, David Schwimmer, Matt LeBlanc dhe Matthew Perry, raportohet se do të fitojnë shifra marramendëse: 2,25 milionë dollarë secili. Mediat amerikane madje shkruajnë se të gjashtë aktorët kanë refuzuar ofertat fillestare për të fituar nga 1 milionë dollarë, por tani duket se janë drejt firmosjes së kontratës.
Emisioni special do të ketë intervista për të folur për të kaluarën e gjashtë aktorëve në një prej serialeve më të famshëm të të gjitha kohërave, i transmetuar fillimisht nga viti 1994 deri në vitin 2004.
Nëse realizohet, kjo do të jetë hera e parë pas 16 vitesh që 6 aktorët do të dalin bashkë në një intervistë televizive, edhe pse në rrjetet sociale ata janë shfaqur disa herë bashkë. Të enjten, Matthew Perry u bë i fundit prej tyre që hapi një llogari në Instagram. Në tetor, Jennifer Aniston bllokoi Instagramin për pak minuta, pasi postoi një foto me 5 aktorët e tjerë të serialit, e para për të në rrjetin social.