Paraditen e kësaj të hëne është mbledhur në Rinas Task-Forca për masat e marra ndaj koronavirusit.
Në një deklaratë për mediat, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se në Shqipëri deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me këtë virus vdekjeprurës.
Ajo u shpreh se pas shtimit të rasteve në Itali, ku deri më tani raportohet për 4 viktima dhe më shumë se 200 të infektuar, janë dyfishuar masat mbrojtëse në pikat kufitare.
“Edhe kjo ngjarje, që është e pazakontë nga pikëpamja e përballjes me një virus të tillë, na bën të jemi të përgjegjshëm dhe të ecim me transparencë maksimale me publikun dhe median.
Nuk është koha që paniku të zëvendësojë arsyen, por është koha të bazohemi në fakte, të dëgjojmë mendimet e ekspertëve, që në Shqipëri nuk mungojnë, të cilët po ndjekin hap pas hapi planin e miratuar nga Tast-Forca”.
Apeli i Manastirliut është që për informacione, qytetarët t’u referohen vetëm burimeve zyrtare dhe Institucionit të Shëndetit Publik.
“Dua të theksoj se Shqipëria deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirusin e ri. 6 raste të cilat janë analizuar nga ISHP kanë rezultuar negative.
Që nga momenti që ka pasur një transmetim komunitarë në Itali, kemi dyfishuar pikat e kontrollit në kufi. Në Rinas, gjithashtu në portin e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës dhe në pikat e kalimit kufitar tokësor.
Dje kemi monitoruar më shumë se 4500 udhëtarë që kanë ardhur nga vendet që kanë transmetim komunitarë.
Vlerësimi është bërë sipas parametrave dhe udhëzimeve të OBSH.
Masat janë duke u marrë në varësi të shkallës së riskut. Që në krye të herës, ende pa u shpallur gjendja emergjente nga OBSH, kemi qenë të përgjegjshëm për të marrë masat mbrojtëse për shëndetin e popullatës.
Masat që kemi shtuar kanë të bëjnë me përforcimin dhe dyfishimin e strukturave tona të shëndetësisë në pikat kufitare.
Ndërkohë paralelisht po vijon trajnimi kaskadë në strukturat e personalet shëndetësorë në të gjithë Shqipërinë për të vendosur një gjendje gatishmërie.
Dua tu them qytetarëve që jo vetëm po vijon forcimi i kapaciteteve njerëzore të strukturës së shëndetësisë, por edhe me strukturat paralele”.
Ajo ka bërë me dije se sot ka firmosur urdhrin për masat e shtuara hijeno-sanitare në strukturat shkollore, në çerdhe, kopshte dhe shkolla.
“Na duken si gjëra të thjeshta këshillat për masat hijeno-sanitare që ndikojnë drejtpërdrejtë në ruajtjen e popullatës, por janë masa të provuara shkencërisht që ulin mundësinë për infeksione.”