Historiani grek Stavros G. Dayos, ka botuar së fundmi një libër me titull “Ndjekja e kimerave: Refugjatët politikë shqiptarë në Greqi 1945-1991”.
Gazeta “Protothema” e ka intervistuar z.Dayos, i cili që në fillim të intervistës shprehet se “Shqipëria, megjithëse i përkiste Grupit Lindor (1945-1991), kishte favorin e plotë të diplomacisë perëndimore”, ndërsa librin e ka bazuar në materiale arkivore të mbledhura në Shqipëri, Greqi, Ish-Jugosllavi, Shtetet e Bashkuara (CIA), Britania e Madhe (MI6) etj.
Më tej, historiani pohon se “numri i të arratisurve politikë shqiptarë të mirëpritur nga Greqia mund të vlerësohet në 4 000 deri në 5 000, mbase më shumë. Sidoqoftë, është e pamundur të vlerësohet numri i personave të zhdukur gjatë rrugës, të cilët nuk u gjetën dhe nuk u identifikuan kurrë”.
Dayos thotë se disa nga të arratisurit ishin të infiltruar nga Sigurimi i Shtetit, për të cilët shërbimi inteligjent grek kishte dijeni, por që nuk përbënin rrezik për sigurinë e vendit.
Sipas historianit, në total, përgjatë viteve 1940-91, nga Shqipëria drejt botës perëndimore, janë larguar 13 692 persona.