Policia ka gjetur motorin e djegur të autorit të vrasjes së Bujar Nasufit, i cili u qëllua disa herë me armë zjarri teksa ndodhej në makinë.
Uniformat blu njoftojnë se motori është gjetur i shkrumbuar në “Kodrat e Sharrës”. Tashmë është duke iu nënshtruar një ekspertize të thelluar nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në afërsi të banesës së Bujar Nasufit në vendin e quajtur “Pallati me Shigjeta” në Tiranë.
Nga verifikimi i kamerave të sigurisë, vrasësi ka dyshime se e ka pritur viktimën në afërsi të banesës së tij, në momentin që 56-vjeçari është kthyer në shtëpi së bashku me bashkëshorten e tij.
Burime bëjnë me dije se autori i është afruar viktimës sapo ai është ndarë nga gruaja e tij, e cila ka zbritur nga makina dhe i është drejtuar banesës pak metra larg vendit ku ndodhi ngjarja, në rrugën “Myrte Zeneli”.
Grupi hetimor po kryen veprime intensive për sekuestrimin e provave që do t’i shërbejnë hetimit për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.