Gjendet i vdekur mjeku i njohur italian, Dr.Giuseppe De Donno, i cili u bë i famshëm në të gjithë botën, pasi zbuloi kurën e Covid-19 me plazmë gjaku te personat që ishin në gjendje të rëndë.
Giuseppe De Donno ishte shefi kryesor i departamentit të Pneumologjisë të spitalit Carlo Poma në Mantova.
Ai u gjet pa jetë në shtëpinë e tij në Eremo, një fshat i Curtatone, ku jetonte me gruan e tij Laura dhe dy fëmijët, Martina dhe Eduardo. Sipas raportimeve të para, mjeku është vetëvarur.
De Donno propozoi trajtimin eksperimental të bazuar në plazmën hiperimune gjatë valës së parë të Covid, kur vaksinat nuk kishin dalë ende.
E ndërsa misteri ka mbuluar këtë ngjarje, autoritetet italiane po hetojnë për shkakun e vdekjes.
Në komunitetin e tronditur të Mantovas, mjeku konsiderohet si një person i jashtëzakonshëm që sakrifikoi për pacientët e tij.
Po ashtu miq të afërt të tij thonë se nuk kishin vënë re asnjë shenjë që mund ta çonte në këtë akt ekstrem.
Në Qershor të këtij viti, De Donno zgjodhi jo vetëm të linte postin e tij si drejtues në Carlo Poma në Mantova, por edhe specializimin, për t’u bërë një mjek i përgjithshëm. Kura e tij me plazmë nuk u njoh kurrë zyrtarisht, megjithëse rezultatet ishin pozitive.