Aktualitet Gjendet thika me të cilën dyshohet se u godit për vdekje 14-vjeçari...

Gjendet thika me të cilën dyshohet se u godit për vdekje 14-vjeçari Martin Cani

Policia ka gjetur dhe sekuestruar thikën që dyshohet se është përdorur në vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani. Thika është gjetur në afërsi të Gjykatës së Apelit në rrugën e Elbasanit.

Mësohet se së bashku me thikën është gjetur edhe çanta e shkollës së 14-vjeçarit, autor i ngjarjes.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e hënë më 18 nëntor pranë shkollës 9-vjeçare ‘Fan Noli’ në Tiranë, ndërsa arma e krimit nuk u gjet nga policia edhe pse 14-vjeçari u ndalua që ditën e krimit.

Kujtojmë që ditën e sotme gjyqtarja Lorena Çabej e gjykatës penale mbërriti në një spital privat, ku i komunikoi 14-vjeçarit Mario Përlleshi masën e sigurisë.

14-vjeçari ndodhet në spital, ku po merr mjekime pasi mbeti edhe vetë i plagosur, por ende nuk është zbardhur sesi përfundoi i prerë edhe vetë me thikë në krah.

Pasi të përfundojë mjekimet e nevojshme, adoleshentit do t’i duhet të shkojë në paraburgimin e Institutit të të Miturve në Kavajë, deri në një vendim përfundimtar.

Të enjten prokurorja Felaj e rikualifikoi veprën penale, nga “vrasje me dashje” siç ishte referuar nga policia në “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” duke i rënduar pozitën përballë ligjit.

Ai mund të rrezikojë një dënim deri në 12 vite burg.

Të hënën e 18 nëntorit, Shqipëria u trondit nga vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u qëllua nga Përlleshi pas një konflikti mes tyre pranë shkollës Fan Nolin në Tiranë.