Falë kombinimi të gjenomit modern dhe atij të lashtë, studiuesit kanë krijuar pemën më të madhe familjare njerëzore. Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh kombinoi raportet gjenetike të 3609 sekuencave individuale të gjenomit nga 215 popullata anembanë globit për të prodhuar një pemë familjare gjigante që identifikon gati 27 milionë paraardhës dhe vendin ku ata kanë jetuar.
“Ne kemi një gjenealogji të vetme që gjurmon prejardhjen e të gjithë njerëzimit dhe tregon se si jemi të gjithë të lidhur me njëri-tjetrin sot”, tha për CNN Anthony Wilder Wohns, i cili ka drejtuar studimin që u botua në revistën Science.
Studimi përdor gjenomet e lashta nga mostrat që datojnë nga më shumë se 100 000 vjet më parë.
Shkencëtarët në Institutin e të Dhënave të Mëdha të Universitetit të Oksfordit zhvilluan algoritmet e nevojshme për të përpunuar sasinë e madhe të të dhënave të përfshira në këtë hulumtim.
“Ky studim hedh bazat për gjeneratën e ardhshme të sekuencës së ADN-së”, thotë në deklaratë Yan Wong, një nga autorët kryesorë të studimit dhe gjenetist i evolucionit.
Ndërsa cilësia e sekuencave të gjenomit nga mostrat moderne dhe të lashta të ADN-së përmirësohet, pemët do të bëhen edhe më të sakta dhe ne përfundimisht do të jemi në gjendje të gjenerojmë një hartë të vetme, të unifikuar që shpjegon prejardhjen e të gjithë variacionit gjenetik njerëzor që shohim sot.
Studimi ndihmon për të treguar shtrirjen e diversitetit gjenetik njerëzor dhe përcakton se si njerëzit në mbarë botën janë të lidhur me njëri-tjetrin. Studiuesit kanë konfirmuar se specia njerëzore filloi në Afrikë përpara se të migronte në pjesë të tjera të globit.
Me kalimin e viteve, studiuesit kanë grumbulluar gjithnjë e më shumë informacione rreth gjenomit njerëzor. Pavarësisht se duhen kërkime të tjera për të kuptuar rezultatet e plota të studimit, shkencëtarët tashmë po gjejnë të dhëna interesante – nëse jo të diskutueshme – në pemën familjare. Provat sugjerojnë se njerëzit mund ta kenë populluar Amerikën shumë më herët se sa mendohej fillimisht. Sipas arkeologëve, njerëzit mbërritën për herë të parë në Amerikën e Veriut rreth 20 000 vjet më parë.