Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit u mbajtën paraditen e së mërkurës homazhet publike për Ismail Kadarenë dhe një ceremoni shtetërore.
Dilema e ditëve të fundit se ku do të prehet Ismail Kadare, ka marrë përgjigje nga Kryeministri Edi Rama në fjalimin e tij.
Ismail Kadare meriton të prehet në një banesë të fundit që do të jetë vetëm e tij. Kështu u shpreh Kryeministri Rama.
Por deri atëherë, përkohësisht trupi i Ismail Kadaresë do të prehet në varrezat e Tufinës.
Me kërkesë të familjes së tij, ceremonia mortore në Tufinë do të jetë vetëm familjare dhe jo publike.
Kryeministri Edi Rama: I dashur Ismail, nuk ta tregoj dot sa do doja të ta tregoja ç’më panë sytë e ç’më tha mendja duke u marrë me funeralin tënd. Por më duhet të të falenderoj që në këtë novel të pashkruar më dhe atë përgjigjen që s’ta mora dot në të gjallë kur thoshe nuk shkruaj më, ma ktheje i kam thënë të tëra. Sot jam plotësisht i bindur se Ismail Kadare i tha vërtetë të tëra ç’kishte për të thënë.
Ismail Kadare e meriton të prehet në një banesë të fundit që të jetë vetëm e tija. Jo bashkë me dëshmorët sepse ai as ishte dëshmor dhe as nuk kishte në asnjë qelizë të tij dëshirën për të rënë dëshmor. Jo bashkë me vëllezërit Frashëri, sepse as nuk ja kanë borxh t’i bëjnë vend në varret e tyre dhe as na i kishte Ismaili borxh që t’i ndalojmë vetminë e tij vetëm e vetëm sepse nuk ja ndalon dot duke na parë me shpotinë e vetë duke na thënë jo-në e tij. As përballë Rognerit.
Ismail Kadare jetoi si dëshmitar i një fjale që mori të tëra lëvdatat e botës dhe tërë smirën dhe sharjet e mundshme të vendit që e lindi. Mbeti në arkivat e procesverbaleve të Nobel, i vetmi kandidat për të cilin ka një dosje letrash anonime. Ai erdhi, shkroi dhe iku. I kemi vetëm një detyrim, t’ja respektojmë ikjen duke i dhënë një banesë të fundit ku të mos ndihet i kërcënuar as nga dashuria e pakërkuar që e kishte tmerr, as nga fqinjësia asnjëherë e dëshiruar që e kishte lemeri dhe as nga tubimet, nderimet dhe fjalimet që i kishte llahtari. Sa për sot, është kërkesë e Helenës që vendosja e përkohshme e trupit të tij në Tufinë të bëhet vetëm me praninë e familjarëve. Në emër të saj ju kërkoj të gjithëve respektimin e këtij vullneti dhe mbylljen e homazheve nga sheshi këtu për në varrezat e qytetit.