Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar nga Kuvendit që krahas miratimit të rezolutës së propozuar nga Partia Socialiste mbi gjenocidin serb në Srebenicë të miratojë edhe rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë. Sipas tij Serbia duhet të kushtëzohet me kërkesën e faljes dhe pranimin e krimeve në emër të së ardhmes dhe për të mos qenë peng i së shkuarës.
“Sot është koha të gjejmë forcën guximin dhe pavarësinë për t’i vënë emrin masakrave në Ballkan për shkak të shovinizimit serb. Kalimi i kësaj rezolute e bën më të madhe barrën e përgjegjësisë për të miratuar sa më parë rezolutën e gjenocidit serb në Kosovë. Një numërim mbrapsht ka nisur për të miratuar rezolutën e gjenocidit serb në Kosovë jo për të mbetur peng i së shkuarës së dhimbshme por për t’i hapur rrugë të ardhmes. Që Serbia të integrohet në rajon duhet ta kushtëzojmë me kërkesën e faljes dhe pranimin krimeve. Që e shkuara të mos harrohet dhe faktet alternative të mos ndryshojnë historinë e konjukturave të momentit, duhet të tregojmë njëzëri se rruga e së ardhmes është përmes pranimit të së shkuarës dhe kërkesa e faljes nga autoritetet e Serbisë. Çdo qëndrim tjetër ndaj Serbisë e inkurajon kryeneçesinë e saj në përpjekje për rishikimin e dënueshëm karshi krimeve të së kaluarës”.
Në fjalën e tij ish-kreu demokrat theksoi se sot ka përpjekje për t’i kur të vërtetës ku viktima po shihet si agresor. Basha theksoi se krahas dënimit duhet drejtësi.
“Na takon ne të jemi zëri i viktimave të gjenocidit dhe viktimave të Kosovës me këtë akt ne dënojmë aktin e shëmtuar jemi pranë të dashurve. Të mohosh gjenocidin në Bosnje dhe Kosovë do të thotë që nuk je ndarë nga e shkuara dhe nuk sheh dot drejt së ardhmes vetëm duke u përballur me të shkuarën rajoni mund të shkojë drejt së ardhmes dhe pajtimeve të qëndrueshme. Ka përpjekje për të fshehur të shkuarën; viktima po shitet si agresor siç po ndodh në Hagë. Krahas dënimit ne duhet të kërkojmë drejtësi sot bota demokratike duhet të angazhohet fort. Është koha që bashkë me aleatët tanë të veprojmë shpejt për t’i prerë rrugën çdo përpjekjeje për cenimin e integritetit territorial, njohjen e Kosovës dhe nisjen e procedurave të saj në NATO. Sot është koha!”