Edhe pse me numër të kufizuar klubet e Bundesligës dëshirojnë ta fillojnë sezonin e ri me tifozë në stadiume. Por politika ende ngurron.
Politikanët gjermanë e refuzuan për momentin dëshirën e Bundesligës për t’u lejuar tifozëve të rikthehen në stadiume, të paktën pjesërisht. “Mijëra spektatorë në stadiume – kjo nuk përputhet me nivelin aktual të infeksioneve”, shkroi ministri federal i Shëndetësisë, Jens Spahn, në Twitter. “Tani është e rëndësishme të mos u hyjmë rreziqeve të shmangshme. Koncepti Federatës Gjermane të Futbollit DFL është i mirë në teori, por në rastin e pandemisë, ajo që ka rëndësi është realiteti në praktikë.”
Megjithatë politikanët do të diskutojnë edhe një herë në fund të gushtit për konceptin e DFL-së. Ky parashikon që fillimisht të lejohet në stadiume vetëm një numër i kufizuar tifozësh. Po ashtu që në stadiume të mos lejohen pijet alkoolike dhe që të shiten vetëm bileta të personalizuara në mënyrë që në rast infeksioni të jetë e mundur që të ndiqen më mirë dhe më shpejt zinxhirët e infeksionit dhe që ato të ndërpriten.
Edhe mjekët janë skeptikë
Përveç shumë politikanëve edhe Shoqata e Mjekëve “Marburger Bund” është kundër kthimit të tifozëve në stadiumet e Bundesligës. “Në radhët e tifizëve mund të ketë ndonjë superpërhapës të virusit dhe ky mund të përhapet si zjarri”, tha kryetarja e Marburger Bund, Susanne Johna, për gazetën “Neue Osnabrücker Zeitung”.
Ajo e konsideron rrezikun e ngjitjes masive të virusit si rrezik real. “Ne i kuptojmë përpjekjet e DFL-së, por e konsideroj si jorealist konceptin e DFL-së për të parandaluar ngjitjen e virusit. “Nëse shënohet një gol, unë nuk mund ta imagjinoj se si tifozët do të qëndrojnë pa lëvizur në vendet e tyre. Në raste të tilla ata përqafojnë njëri-tjetrin dhe as nuk u bie mendja për koronën”, tha Johna.