Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë së bashku me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin.
Kancelari u shpreh se Gjermania angazhohet për fillimin sa më shpejt të jetë e mundur për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, kjo ka rëndësi për stabilitetin e rajonit, por edhe gjithë Europës.
“Gjermania angazhohet me këmbëngulje për fillimin sa më shpejt që të jetë e mundur për negociatat me Shqipërinë dhe RMV. Kjo është për interesin e përbashkët dhe ka rëndësi vendimtare për stabilitetin rajonal dhe në këtë kuadër për gjithë Europën”, u shpreh Scholz.
Kancelari gjerman po ashtu falenderoi Shqipërinë për rolin e saj si anëtar në Këshillin e Sigurimit në OKB, si anëtar i NATO, OSBE-së dhe forume të tjera.
“Shqipëria i mbështet politikat e BE me 100%. Shqipëria dënon luftën kundër Ukrainës”, tha më tej Scholz që i kërkoi presidentit rus armëpushimin në luftën ndaj Ukrainës.
Scholz theksoi se ekziston një marrëdhënie e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Ai njoftoi se nesër do të firmoset marrëveshje për njohjen e ndërsjellët të patentave.
“Marrëdhëniet me Shqipërinë janë të shkëlqyera. Gëzohem që në marrëdhëniet bilaterale kemi përmirësim të ndjeshme. Nesër do nënshkruhet marrëveshja për njohjen reciproke të patentave. Shqipëria ka bërë hapa të mëdha. Ka krijuar struktura për të luftuar korrupsionin. Dua të rigjallëroj procesin e Berlinit, me rendësi është tregu i përbashkët rajonal dhe zbatimi i 4 liritë bazë. Gjermania do të jetë një partnere e ngushtë e Shqipërisë drejt rrugës së BE”, tha kancelari gjerman.