Ministri gjerman për Çështjet Europiane, Michael Roth e quajti gabim serioz politik nëse dështon miratimi i kornizës për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Duke folur para nisjes së diskutimeve në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, Roth shprehu keqardhje që deri më tani nuk ishte bërë përparim në bindjen e të gjitha vendeve anëtare për hapjen e negociatave.
Sipas tij, ky dështim rrezikon sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, çka mund të ndikojë në sigurinë e Europës në tërësi.
Takimi i këtij këshilli kryesohet nga Gjermania që përmbyll këtë muaj presidencën e radhës të Bashkimit Europian.