Partnerët e pabarabartë në kohën e bumit ekonomik bëhen tani të huaj për njëri-tjetrin. Pas pesë dekadash Gjermania dhe Kina po largohen mes vete.
Cili shtet është partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë? Kina, gjashtë vjet me radhë. Nga cili shtet vijnë shumica e studentëve të huaj në universitetet gjermane? Nga Kina, saktësisht 43.629 janë regjistruar në semestrin e fundit. Me cilin vend Gjermania i ka ngritur marrëdhëniet e saj në nivelin e një “partneriteti strategjik gjithëpërfshirës”? Me Kinën. Ministria e Jashtme shkruan në faqen e saj të internetit për “diversitet dhe dendësi të madhe” në marrëdhëniet gjermano-kineze. E gjitha kjo megjithëse Kina nuk është vetëm partnere dhe konkurrente për Gjermaninë, por edhe “rivale sistematike”.
Asgjë nga këto nuk kanë mundur të parashikohen me 11 tetor 1972 kur ministri i Jashtëm i atëhershëm Walter Scheel dhe homologu i tij kinez Ji Pengfei shkëmbyen dokumente për njohje të ndërsjellë diplomatike në Pekin. Republika Popullore e Kinës nuk ishte superfuqia ekonomike e sotme. Gjysmë shekulli më parë ishte një vend dëshpërimisht i varfër në zhvillim, i paralizuar nga vitet e Revolucionit Kulturor, i udhëhequr nga Mao Ce Tung i moshuar, i cili prej kohësh kishte humbur kontaktet me popullsinë.
Në atë kohë nuk flitej për “politikë të jashtme të bazuar në vlera”. Ishte epoka e Luftës së Ftohtë. Gjermania dhe Evropa u ndanë. SHBA dhe Bashkimi Sovjetik u përballën në mënyrë të papajtueshme. Duke ndjekur logjikën “armiku i armikut tim është miku im”, presidenti i atëhershëm i SHBA Richard Nixon bëri një vizitë të papritur në Pekin në shkurt 1972, për shkak të raporteve jo tepër të mira mes Kinës dhe Bashkimit Sovjetik. Vizita historike e Nixonit nisi një garë për Pekinin. Gjermania ishte në ballë.
Duisburg në rrugën e mëndafshit
Gjysmë shekulli më vonë, “diversiteti dhe dendësia” e marrëdhënieve është e dukshme në më shumë se 100 partneritete midis qyteteve gjermane dhe kineze. Ashtu si ai midis Duisburgut dhe Wuhanit – qytete me madhësi të ndryshme sa Gjermania dhe Kina: me gati gjysmë milioni banorë në Duisburg dhe mbi tetë milionë në Wuhan. Duisburgu ka krijuar departamentin e vet të Kinës për të intensifikuar më tej marrëdhëniet. Lidhjet tashmë janë të ngushta.
Kopshti Zoologjik i Duisburgut nuk është vetëm krenar për pandat e tij të kuqe, por mbi të gjitha për kopshtin kinez. E kompletuar me një pavijon uji, urë me hark dhe statuja luani, një dhuratë nga qyteti simotër i Wuhan. Universiteti Duisburg-Essen mban partneritete universitare me partnerët kinezë.
Por mbi të gjitha, Duisburgu është kthyer në qendër të Rrugës së Mëndafshit. 60 trena mallrash mbërrijnë nga Kina çdo javë. Kur treni i parë nga Lindja e Largët u tërhoq në stacionin e Duisburgut në vitin 2014, i zbukuruar me kurora, kreu i shtetit dhe partisë së Kinës Xi Jinping po qëndronte në platformë, i shoqëruar nga ministri i atëhershëm i Jashtëm Sigmar Gabriel. Janë imazhe nga një epokë e shkuar.
Problemet politike
Raportet politike kanë ndryshuar dhe janë shumë më të ashpra. Në të kaluarën, një shumëllojshmëri e gjerë delegacionesh nga të dyja palët lëviznin në të dy drejtimet, si një anije endëse midis Gjermanisë dhe Kinës. Sot, takimet mes politikanëve gjermanë dhe kinezë janë të rralla. Kjo ka të bëjë edhe me pandeminë, me strategjinë strikte të Kinës me zero-Covid dhe rregulloret kufizuese të hyrjes. Por jo vetëm.
Kjo kryesisht për faktin se elementët e partneritetit dhe konkurrencës janë zvogëluar vitet e fundit në marrëdhëniet mes dy vendeve. Nga ana tjetër, rivaliteti sistematik ka dalë gjithnjë e më shumë në plan të parë.
Qofshin gjestet kërcënuese të Kinës ndaj Tajvanit, persekutimi i pakicës ujgure, shtypja masive e lëvizjes demokratike në Hong Kong apo prania agresive e Pekinit në Detin e Kinës Jugore: potenciali për konflikt me Kinën po rritet. E oferta e ngjashmërive po zvoglohet.
Dallimet në interesat midis partnerëve kinezë dhe ndërkombëtarë në sipërmarrjet e përbashkëta në Kinë përshkruheshin me një imazh: “Flini në të njëjtin shtrat, por ëndërroni ëndrra të ndryshme”. Për të qëndruar me foton: Duket sikur Gjermania dhe Kina tani kanë vendosur shtretërit e tyre në dhoma të ndryshme.
Konkurrenca dhe rivaliteti
Për një kohë të gjatë, supozohej se Kina jo vetëm që do t’i afrohej Perëndimit ekonomikisht përmes integrimit të saj në globalizim, por edhe politikisht, shpjegon Bernhard Bartsch nga MERICS në Berlin. “Shumë njerëz në Kinë mendonin kështu”, theksoi eksperti i Kinës në një intervistë për DW. Por kjo ka ndryshuar rrënjësisht në vitet e fundit nën drejtimin e Xi Jinping. “Në fund të fundit, Kina thotë: “Ne kemi sistemin tonë. Dhe ne duam të ndryshojmë rendin global dhe rregullat përkatëse të lojës.” Ata nuk duan më të njohin dhe pranojnë – në sytë e kinezëve – sistemin e dominuar nga perëndimi.”
Vetë lideri i shtetit dhe partisë Xi Jinping ka formuluar një qëllim ambicioz për vendin e tij: në 100 vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 2049, Kina duhet të jetë një fuqi e pjekur, moderne, socialiste me aftësinë për të vendosur dhe formësuar rregulla – ekonomikisht dhe teknologjikisht në majë të botës. Me synimin e sa për të qenë në qendër të rendit botëror, Kina bie automatikisht në konflikt me fuqinë e deritanishme hegjemoniste, SHBA-në.
Problematike për Berlinin: Ky konflikt po zhvillohet mes partnerit më të rëndësishëm ekonomik të Gjermanisë dhe aleatit të saj më të fuqishëm. Eksperti i Kinës Bartsch shprehet: “Gjermania dhe Evropa janë në një situatë ku gjithnjë e më shpesh lind pyetja: Në cilën anë jeni ne?” Në vitet e Merkelit, Berlini u përpoq të mos merrte ndonjë vendim të tillë, tha Bartsch. Por ndërkohë po shtohet presioni për pozicionim më të qartë. “Termi politik për këtë është se marrëdhëniet e Gjermanisë me Kinën dhe SHBA-në nuk janë të barabarta. Se ne jemi shumë më afër me SHBA-në sesa me Kinën. Megjithatë, ne nuk duam të lëmë të pashfrytëzuara mundësitë që ofron marrëdhënia me Kinën”, shpjegon Bartsch.
Distancimi
Tani është e qartë se Berlini po distancohet nga Kina. Robert Habeck, Ministër i Ekonomisë, thotë se me Kinën mund të ketë ndryshime në “politikën tregtare”. Në fund të konferencës së ministrave të tregtisë të G7, Habeck deklaroi në mes të shtatorit: “Naiviteti ndaj Kinës ka marrë fund”.
Në fund të majit, Habeck kishte refuzuar garancitë e VW Group për investime në Kinë. Një tronditje për ekonominë. Për dekada, biznesi me Kinën ishte më i lehtë për investime dhe garanci për eksport. Në dekadat e fundit, marrëdhëniet gjermano-kineze kanë qenë, mbi të gjitha, marrëdhënie ekonomike, dhe si të tilla kanë lulëzuar. Krerët e qeverive gjermane shoqëroheshin rregullisht nga delegacione të mëdha biznesi në udhëtimet e tyre në Kinë, ku nënshkruheshin projekte të mëdha bashkëpunimi. Rreth 5000 kompani gjermane janë aktive sot në Kinë; aty kanë investuar rreth 90 miliardë euro.
Gjendja sot ka ndryshuar shumë. Në një dokument pozicioni të paraqitur në mes të shtatorit, Dhoma Evropiane e Tregtisë me Kinën u ankua se ekonomia po politizohej gjithnjë e më shumë. “Ndërsa Kina dikur ishte e interesuar për globalizimin, vendi tani konsiderohet më pak i parashikueshëm, më pak i besueshëm dhe më pak efikas”, thuhet në këtë dokument.
“Ne jetojmë më larg njëri-tjetrit”
Presidenti i Dhomës Jörg Wuttke shpreh keqardhje në një deklaratë për DW se “evropianët dhe kinezët vështirë se mund të shkëmbejnë më ide. Vështirë se ndonjë personalitet kinez fluturon më në Evropë. Kjo ishte gjithmonë tepër e rëndësishme për një kontroll të realitetit.” Anasjelltas, gjithnjë e më pak studentë gjermanë tërhiqen nga Kina. “Kjo do të thotë se ne po jetojmë më larg njëri-tjetrit,” përmbledh Wuttke.
Si anëtar i grupit parlamentar gjermano-kinez, deputeti i SPD-së, Dagmar Schmidt, ishte në gjendje të vëzhgonte tjetërsimin nga dora e parë. “Kur u bëra kryetar në 2014, ne kishim ende një shkëmbim shumë të gjallë. Morëm shumë delegacione nga Kina, ofruam bisedime, patëm diskutime. Ishte gjithmonë shumë pasuruese”, kujton Schmidt në një intervistë për DW. Por më pas takimet u bënë më të rralla – dhe më të mërzitshme. “Ata nuk flisnin më aq lirshëm, thjesht filluan të lexojnë shënime me zë të lartë. Gjithçka ishte shumë më e kontrolluar.” Me pandeminë, shkëmbimi u përkeqësua edhe më shumë. Video-konferencat e rastësishme thjesht nuk kanë cilësinë e shkëmbimit personal.
Në 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duket sikur Gjermania dhe Kina po largohen edhe më shumë mes tyre./DW