Pas lajmit se është prerë një kabllo të dhënash që lidh Gjermaninë dhe Finlandën, Gjermania përjashtoi mundësinë e një aksidenti. Mbetet e paqartë se kush qëndron pas aktit të sabotimit.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha të martën se dëmtimi i një kablloje nënujore të dhënash, që lidh Gjermaninë me Finlandën, ka të ngjarë të jetë një akt sabotimi.
Dëmtimi i kabllos C-Lion1 u raportua për herë të parë të hënën. Autoritetet thanë se linja 1.173 kilometra e gjatë ishte prerë, megjithëse pasoja nuk ka gjasa të ndihet nga shumica.
Ministri suedez i Mbrojtjes Civile Carl-Oskar Bohlin tha gjithashtu të hënën se ishte dëmtuar një kabllo e dytë nën det, sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP.
Incidenti ndodhi në të njëjtin rajon detar ku u sabotuan në vitin 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës, tubacionet e gazsjellësit Nord Stream.
“Nuk mund të jenë vetëm rastësi”
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha se Evropa do të mbetet e bashkuar përballë kërcënimeve hibride, pas prerjes së kabllove me fibra optike në Detin Baltik.
“Ne po e përjetojmë këtë edhe në Gjermani […] me sulme kibernetike, monitorim të infrastrukturës kritike, paketa që shpërthejnë papritmas kur transportohen me avion dhe dje […] një kabllo të dhënash midis Finlandës dhe Gjermanisë që ndoshta ka prekur edhe Suedinë,” tha Baerbock. “Këto nuk mund të jenë thjesht rastësi.
Çfarë tjetër thotë Gjermania për kabllon e dëmtuar të Detit Baltik?
“Askush nuk beson se këto kabllo janë prerë aksidentalisht. Unë gjithashtu nuk dua të besoj versionet se ishin spiranca që i dëmtuan aksidentalisht këto kabllo,” tha Pistorius përpara një takimi me ministrat e Mbrojtjes të BE në Bruksel.
“Prandaj, duhet të pohojmë, pa e ditur saktësisht se kush është, se është një veprim “hibrid”. Dhe ne gjithashtu duhet të supozojmë, pa e ditur ende, se ky është sabotim,” shtoi ai.
Pistorius nuk ishte në gjendje të siguronte ndonjë provë për dyshimet e tij, por homologu i tij estonez, Hanno Pevkur, tha gjithashtu se nuk kemi të bëjmë me një “shkak natyror” bazuar në informacionin e tyre paraprak.
Ministrat e jashtëm gjerman dhe finlandez nxorën një deklaratë të përbashkët të hënën në mbrëmje: “Siguria jonë evropiane nuk kërcënohet vetëm nga lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës, por edhe nga lufta hibride e nxitur nga aktorë keqdashës”.