Megjithëse kandidatët e BE si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi ose Maqedonia e Veriut paguan për dërgesat e vaksinave nga programi Covax muaj më parë, ata nuk kanë marrë as dërgesa urgjente për të imunizuar mjekët.
Në fillim të vitit, 13 ministra të jashtëm të BE lëshuan një deklaratë duke bërë thirrje që dozat e vaksinimit t’i jepen Ballkanit Perëndimor. Kërkesa e tyre nuk gjeti përgjigje ne Bruksel: Asokohe Gjermania, Austria dhe Luksemburgu nuk e nënshkruan gjithsesi atë deklaratë.
Në këtë situatë emergjente për të luftuar koronavirusin, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina, kanë porositur vaksinën ruse Sputnik V, ndërsa Maqedonia e Veriut ka porositur atë kineze Sinopharm.
Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth i shikon me shqetësim dërgesat e vaksinave kineze dhe ruse në Ballkanin Perëndimor.
“Ne po jua bëjmë shumë lehtë Rusisë dhe Kinës që të kenë përfitime gjeostrategjike nga situata si furnizues të vaksinave. Ne kemi nevojë urgjente të përmirësohemi këtu. Njerëzit në rajon duhet të mendojnë se ne nuk po i lëmë ata vetëm”, është shprehur Roth.
Roth i bëri thirrje Bashkimit Evropian të dërgojë doza vaksinash në shtetet e Ballkanit Perëndimor sa më shpejt të jetë e mundur dhe të dërgojë një “shenjë solidariteti”.