Gjermania del kundër vendimit të Greqisë për të bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë si kundërpërgjigje për arrestimin e kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë, Fredi Beleri.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetës greke Ta Nea, ministria e Jashtme e Gjermanisë thekson se “çështja Beleri nuk duhet të bilaterizohet dhe aq më shumë të pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.
“Shqipëria është vendi që ka bërë më shumë hapa drejt anëtarësimit në BE dhe kjo rrugë nuk duhet të ndërpritet për shkak të një bilateralizimi për çështjen Beleri”.
Sipas asaj që raporton Ta Nea, qeveria gjermane vlerëson se përcaktuese për procesin e integrimit të një vendi duhet të jenë kriteret e anëtarësimit dhe jo mosmarrëveshjet mes dy vendeve. Ndaj çdo qasje tjetër përtej këtyre kritereve, për Gjermaninë është e papranueshme.
“Përcaktues për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është ekskluzivisht plotësimi i kritereve të anëtarësimit, përfshirë edhe “acquis”-në e BE-së. Është e rëndësishme që kjo të jetë gjithashtu pikë referimi për të gjitha shtetet anëtare në vendimet e tyre për hapat individualë në procesin e anëtarësimit. “Bilateralizimi” i procesit të anëtarësimit nuk është i pranueshëm”.
Më tej në përgjigjen e dhënë për median greke, Ministria e Jashtme e Gjermanisë nënvizon se çështja e kryebashkiakut të Himarës është çështje e drejtësisë shqiptare.
“Për rastin e kandidatit për kryebashkiak në Himarë, Fredi Beleri, aktualisht po kryhen hetime nga autoritetet shqiptare. Duhet të presim procesin aktual në Shqipëri”.
Ta Nea raporton se kjo çështje ka qenë temë e diskutimit edhe e takimit që kryeministri Qiriakos Mitsotaqis zhvilloi disa ditë më parë në Gjermani ku u takua edhe me kancelarin Olaf Scholz. Fredi Beleri u arrestua vetëm dy ditë para zgjedhjeve vendore për korrupsion zgjedhor, teksa SPAK pretendon se ai tentoi të blejë 8 vota për 400 euro.