Për bashkëpunimin europian, Gjermania beson tek Franca, kurse në çështjet e sigurisë bazohet në mburojën atomike të SHBA. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Macron kishte një rekomandim për gjermanët.
Andreas Noll – DW
Janë rehatuar mirë gjermanët nën mburojën mbrojtëse të SHBA? Në Konferencën e Sigurisë në Mynih (14-16.02), presidenti francez, Macron la këtë përshtypje. Ai kërkoi një debat nuklear në Gjermani, edhe pse ky diskutim “nuk ka për të qenë i lehtë”. Franca, sipas Macron, nuk ka frikë, nëse Gjermania dhe BE shkëputen nga mburoja mbrojtëse amerikane.
Rikthim i historisë?
Të qenit të hapur-ka një traditë tek pala franceze. Që në vitin 1957, Parisi ishte i gatshëm për lëshime të mëdha në drejtim të Gjermanisë. Atëherë ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef Strauß dhe homologu francez, Jacques Chaban-Delmas ranë në ujdi për një bashkëpunim në teknikën nukleare e të raketave. Në një dokument të fshehtë u fiksuan detajet e bashkëpunimit. Për Parisin ishte përfitim, që Republika Federale e fortë ekonomikisht merrte pjesë në zhvillimin e armëve atomare të kushtueshme. Edhe presidenti amerikan, Dwight D. Eisenhower ishte pro armatimit atomike të gjermanëve.
Por popullsia gjermane e refuzoi këtë pak vite pas luftës me një shumicë të madhe. E mund të bazohej në të drejtën, që qeveria gjermane para anëtarësimit në NATO ishte shprehur qartë kundër një armatimi nukelar. Atëherë për Francën kjo nuk ishte pengesë, sepse prodhimi i armëve do duhej të bëhej në Francë. Por projekti ambicioz gjerman, dështoi, kur gjenerali francez, Charles de Gaulle në vitin 1958 erdhi në pushtet. Ai zgjeroi pa mbështetje të huaj programin nuclear francez, të njohur si “Force de Frappe”.
Fuqia e tretë atomike
Për përdorimin e armëve vendos komandanti i forcave të armatosura, pra vetëm presidenti i vendit në Francë, e në këtë pikë nuk ka ndryshuar asgjë. Rreth 300 koka shpërthyese ka “Force de Frappe”, siç ka bërë të ditur së fundmi Macron. Nën fuqitë zyrtare atomike, Franca zë vendin e tretë. Për 35 miliardë dollarë duhet të modernizohen në vitet e ardhshme kokat shpërthyese të nëndetëseve dhe bombarduesve. Në Francë ka një konsensus partiak që modernizimi është i nevojshëm, për të ruajtur sovranitetin francez, por për një vend me 100% borxhe të prodhimit të brendshëm bruto ky investim është shumë i vështirë.
Macron nuk i bëri qeverisë gjermane në Konferencën e Sigurisë në Mynih një ofertë financimi. Por deklarata e tij për një debat gjerman për armët nukleare, të le të kuptosh, se Macron, që e kupton veten si ripërtëritës dhe katalizator të Europës, kërkon që Gjermania të mos qëndrojë gjithmonë në një vend në këtë pikë. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha për Deutsche Wellen, se “ne do të pranojmë ftesën për një dialog strategjik.” Por ai theksoi, se fillimisht Europa duhet të sqarojë, se si duhet të përmbushen kërkesat e përbashkëta. Maas tha po ashtu se ai është kundër kthimit të kurrizit SHBA-së.
Bundeswehri gjerman në një sulm atomar do të ishte i përfshirë. Në Büchel, në landin Renani-Pfalc nën mbikqyrjen amerikanë janë stacionuar raketa atomike amerikane, që në rast konflikti mund të transportohen nga tornadot gjermanë në zonën e konfliktit. Por këta tornado duket se janë fund të jetëgjatësisë së tyre e duhet që të zëvendësohen në pak vite. Në Mynih, prandaj Macron u shpreh për një projekt të madh ushtarak, në të cilin, Franca, Gjermania e Spanja të zhvillojnë deri në vitin 2040 një gjeneratë të re avionësh luftarakë. Këtë javë komisioni për buxhetin në Bundestag dha dritë të gjelbër për një etapë të re financimi. Kjo gjeneratë e re avionësh mund të aftësohej edhe për armët atomike franceze. Por në fund në të gjitha këto çështje janë paratë ato që do të luajnë një rol vendimtar.