Ndarja e Uashingtonit me Organizatën Botërore të Shëndetësisë përbën një pengesë serioze për shëndetësinë globale, theksoi sot ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.
Duke nënvizuar nevojën për të reformuar institucionin, ai këmbënguli në faktin se Bashkimi Europian duhet të angazhohet më shumë financiarisht, pas zbatimit nga presidenti amerikan, Donald Trump të kërcënimit për të ndërprerë lidhjet me OBSH-në.
“Që OBSH-ja të ketë një të ardhme, ajo ka nevojë për reforma”, theksoi Jens Spahn në një mesazh në Twitter të publikuar në gjermanisht, anglisht dhe frëngjisht.
Ai nënvizoi se riforcimi i rolit të BE-së në organizatë do të ishte një nga prioritetet e Gjermanisë, që merr më 1 korrik presidencën e radhës të Bashkimit Europian.
Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dje se do t’i jepte fund marrëdhënies mes vendit të tij dhe OBSH-së, që e ka akuzuar që prej fillimit të pandemisë se po tregohet shumë e butë me Kinën, ku u shfaq për herë të parë koronavirusi para se të përhapej në mbarë planetin.