Autoritetet shëndetësore, gjermane, kanë paralajmëruar se vendi mund të përballet me 10,000 infeksione të reja në ditë, nëse njerëzit nuk i përmbahen rregullave të higjienës dhe distancës sociale.
“Situata aktuale më shqetëson shumë. Ne nuk e dimë se si do të jetë gjendja gjatë javëve të ardhshme”, tha Lothar Wieler, kreu i Institutit Robert Koch (RKI) për sëmundjet infektive.
“Është e mundur që ne do të shohim më shumë se 10,000 raste të reja në ditë dhe virusi të përhapet në mënyrë të pakontrolluar”, shtoi ai.
Gjermania ka raportuar një rritje të ndjeshme shifrash ditët e fundit. Edhe pse më i ulët se në shumë vende të tjera evropiane, ky është numri më i lartë i rasteve që nga prilli.
Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, e ka përshkruar rritjen si shqetësuese dhe iu bëri apel qytetarëve të tregohen të kujdesshëm.