Qytetet gjermane po kërkojnë ndërtimin e bunkerëve të rinj për të mbrojtur popullsinë në kohë lufte. Por kritikët ngrenë pyetjen çfarë rëndësie kanë ato.
Nuk ka mënyrë më të mirë për të matur zemërimin e një vendi se sa mënyra e hedhjes së vështrimit tek kompanitë që merren me ndërtimin e dhomave ku shkohet për të shpëtuar, të ashtuquajturat dhoma paniku dhe bunkerëve privatë.
Biznesi nuk ka qenë shumë i mirë kohët e fundit për ndërmarrjen Mbrojtja BSSD, kompani private me seli në Berlin, e cila merret me ngritjen e “sistemeve të dhomave të mbrojtjes” për aplikues nga biznesi dhe ushtria.
Përveç pajisjeve të sigurisë së shtëpive, kompania ofron çdo gjë që nga “dhomat e shpëtimit” që kushtojnë rreth 20 000 euro ($21,400 dollarë) deri tek bunkerët e vërtetë që kushtojnë 200 000 euro.
Drejtori teknik i BSSD, Mario Piejde thotë se kompania ka pasur vitet e fundit më shumë kërkesa nga qytetarë privatë, shërbimi i zjarrfikëseve, dhe këshillat lokalë, duke shënuar një rritje gjatë pandemisë së COVID-it dhe një kulm që u arrit kur Rusia filloi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.
“Kërkesat dhe interesimi janë në rritje sepse kompanitë që ofrojnë këtë shërbim nuk janë të shumta,” thotë Piejde për DW. “Askush nuk e priste që do të guxohej sërish të hapej një luftë konvencionale në Europë, por historia përsëritet, për fat të keq. Njerëzit që kanë menduar për këtë më parë, janë duke filluar aktualisht me zbatimin e planeve të tyre.”
Bunkerë jofunksionues
Kjo ndjenjë duket se ka kaluar kohët e fundit në rrethet politike: Në një konferencë të ministrave të Brendshëm të landeve, zhvilluar në Potsdam në fillim të qershorit, Ministria e Brendshme Federale prezantoi anën shtetërore me një “raport mbi gjendjen e zhvillimit të konceptit modern të mbrojtjes” për popullsinë gjermane.
Ky raport vjen tre muaj pasi Shoqata gjermane e qyteteve dhe komunave, e cila prezanton 14 mijë këshilla lokalë të vendit, i bëri thirrje qeverisë federale të investojë dhjetë vitet e ardhshme 10 miliardë dollarë për mbrojtjen civile dhe t’i përdorë paratë për të rivënë në punë 2000 bunkerët e periudhës së Luftës së Ftohtë.
Kjo nuk është ndërmarrje e vogël. Zyra Federale për mbrojtjen civile dhe ndihmën në raste katastrofash (BBK) i tha Deutsche Welles se vetëm 579 nga këta bunkerë janë ende të përcaktuar si vende publike mbrojtjeje, dhe ato kanë hapësirë për rreth 478 mijë vetë (ose 0,56 përqind të popullsisë gjermane). Dhe një numër i njëjtë bunkerësh janë “as funksionalë dhe as të gatshëm për t’u përdorur”, që kur sistemi i mëparshëm i mbrojtjes u la mënjanë në vitin 2007.
Një koncept i ri bunkerësh, thotë BBK, është duke u planifikuar të ndërtohet, por raporti i qeverisë federale, publikuar nga media të ndryshme gjermane, thotë se mbrojtja e gjithë popullsisë së vendit do të kërkonte ndërtimin e më shumë se 210 000 bunkerëve, gjë që do të kërkonte 25 vjet dhe do të kushtonte 140,02 miliardë euro.
“Ndërtimi i mbrojtjes së popullsisë është lënë pas dore në 35 vitet e fundit,” thotë Piejde, por rivënia në punë e bunkerëve është gjë e arritshme: “Në ndërtimin e bunkerëve nuk janë bërë ndryshime të mëdha 50 vitet e fundit. Ajo që kërkohet është fortësia e caktuar e mureve, trashësia e mureve dhe sistemet e filtrimit. Ajo që ka ndryshuar është furnizimi me energji dhe eficienca e baterive.”
Sa mund të mbrohesh nga një bunker?
Hans-Walter Borries, drejtor i Institutit për studimet ekonomike dhe të sigurisë, FIRMITAS në Universitetin e Witten-it në Gjermani, mendon po ashtu se çështja e mbrojtjes së popullsisë është lënë shumë pas dore.
Por ai shtron pyetjen se sa të nevojshme janë bunkerët aktualisht, duke pasur parasysh nivelin e fuqisë ushtarake që mund të përdoret në një luftë midis NATO-s dhe Rusisë (nëse ky është skenari për të cilin duhen bërë përgatitjet): Rusia, për shembull, ka tani raketa hipersonike që duke u hedhur nga Kaliningradi mund të arrijnë virtualisht çdo qytet europian brenda dy deri pesë minutash. “Nuk jemi si në Luftën e Dytë Botërore, kur alarmi i paralajmërimit të bombarduesve që fluturonin mbi Hanover në drejtim të Berlinit u jepte njerëzve 15 deri 20 minuta kohë të gjenin një bunker,” thotë Borries, një kolonel në rezervë i ushtrisë gjermane, Bundeswehr, kur flet për Deutsche Wellen. “Koha e reagimit tani, nuk jep mundësi për të paralajmëruar popullsinë.”
Qeveria federale gjermane e njeh këtë problem. Në raste lufte, thotë raporti i qeverisë, bunkerët e mëdhenj qendrorë mund të jenë më pak të përdorshëm se sa sipërfaqet e decentralizuara mbrojtëse brenda për brenda ndërtesave të banimit. Për këtë arsye qeveria ka në plan t’i rekomandojë qytetarëve të marrin material ndërtimi të lirë dhe që mund të gjendet kollaj, për të ndërtuar dhoma sigurie në bodrumin e ndërtesave, në mënyrë që të mbrojnë veten.
Paratë ‘më mirë të shpenzohen për gjëra të tjera’
Borries nuk është i bindur, sidomos kur kihet parasysh se konflikte të tilla mund të kalojnë në luftë bërthamore, dhe sot armët bërthamore janë në mënyrë të pashpjegueshme më shkatërruese se ato të përdorura nga SHBA në fund të Luftës së Dytë Botërore.
“Ka kohë që efektet nuk janë më si ato të Hiroshimës dhe Nagasakit,” thotë ai. “Me armët moderne, e gjithë Republika Federale Gjermane mund të zhduket me 9 deri 12 raketa.”
Bunkerët që mund t’i rezistojnë sulmeve të tilla, thotë ai, duhen ndërtuar mijëra metra thellë në Alpet e Zvicrës. “Mbas sulmeve të tilla, ju nuk do të donit të dilnit më jashtë bunkerit,” thotë ai.
Në vend që të investohen miliarda në ndërtimin e rrjetit të bunkerëve për mbrojtje në raste lufte, Borries thotë se qeveria duhet të këshillohet që të investojë në atë që ai e quan mbrojtje “normale” të popullsisë. Kjo ka të bëjë, thotë ai, me sistemin e paralajmërimit të hershëm, sidomos për katastrofat natyrore si përmbytjet që ka përjetuar Gjermania kohët e fundit, dhe zhvillimin e trajnimeve më të mira për organizatat që ndihmojnë në raste katastrofash.
“Kjo do të thotë më shumë para për trajnime, ushtrime dhe pajisje moderne,” përfundon Borries. “E gjithë kjo ka më shumë kuptim se sa imagjinimi i skenarëve të fundit të botës, kur ju faktikisht nuk keni mundësi të bëni asgjë për të shpëtuar.”/DW