Singapori nuk ka më pasaportën më të fuqishme në botë, pasi me renditjen e fundit listën e kryeson Gjermania.
Indeksi vjetor i pasaportave “Henley” ka publikuar renditjen e pasaportave sipas numrit të vendeve që qytetarët mund të udhëtojnë pa viza.
Është viti i pestë në të cilin vendi europian ka kryesuar renditjen e ‘Henley’.
Sipas Business Insider, renditja bazohet në të dhënat e Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, i cili mban bazën më të madhe dhe më gjithëpërfshirëse në botë të informacionit të udhëtimit. Qytetarët gjermanë tani mund të vizitojnë 177 vende pa viza.
Në tetor, një listë e veçantë në rang ndërkombëtar ‘Global Power Passport’, e cilësoi pasaportën e Singaporit si më të fuqishmen në botë.
Por Gjermania që prej asaj kohe ka rikuperuar vendin e parë në atë renditje, duke forcuar pozitën e saj dhe duke lënë Singaporin në vend të dytë.
Ndërsa vendi i tretë ndahet nga Danimarka, Finlanda, Franca, Italia, Japonia, Norvegjia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar, qytetarët e të cilëve janë të lirë të udhëtojnë në 175 vende. Amerikanët nuk kanë nevojë për vizë në 173 vende. Sa i takon vendeve të Ballkanit, kryeson Greqia, ku qytetarët grekë mund të lëvizin lirshëm në 171 vende.
Qytetarët bullgarë mund të udhëtojnë pa viza kundrejt 156 vendeve, ndërsa Serbia renditet në vendin e 41-të në listë, ku qytetarët e saj mund të lëvizin lirshëm në 119 vende. Maqedonia është renditur në vendin e 46, ku maqedonasit udhëtojnë në 112 vende lirshëm, ndjekur nga malazezët të cilët janë të 48-ët dhe lëvizin pa viza në 110 vende.
Bosnje Hercegovina mban vendin e 51, qytetarët e së cilës lëvizin pa viza në 2015 vende.
Ndërsa, Shqipëria renditet në vendin e 52 dhe shqiptarët mund të lëvizin lirshëm në 100 vende.
Pakistani, Siria, Iraku dhe Afganistani mbeten në fund të renditjes për të dytin vit radhazi, ku qytetarët e këtyre vendeve kanë të drejtë të lëvizin pa viza në më pak se 30 shtete.
Sipas kryetarit të ‘Henley’, Christian H. Kälin, nevoja për të udhëtuar pa viza është më e madhe se kurrë.
“Në të gjithë spektrin ekonomik, individët duan të kapërcejnë kufizimet e imponuara nga vendi i tyre i origjinës dhe të kenë qasje në mundësitë e biznesit, financiare, të karrierës dhe të jetesës në një shkallë globale”, tha ai.
Më poshtë janë edhe 15 vendet që kanë pasaportën më të fuqishme, bazuar në numrin e vendeve që qytetarët mund të vizitojnë pa viza, sipas Hanley:
1- Gjermania 177
2- Singapori 176
3- Danimarka, Finlanda, Franca, Italia, Japonia, Norvegjia, Suedia, Mbretëria e Bashkuar 175
4- Austria, Belgjika, Luksemburgu, Holanda, Spanja, Zvicra 174
5- Irlanda, Koreja e Jugut, Portugalia, SHBA 173
6- Kanadaja 172
7- Australia, Greqia, Zelanda e Re 171
8- Republika Çeke, Islanda 170
9- Malta 169
10- Hungaria 168
11- Lihtenshtajni, Sllovaki, Slloveni 167
12- Letonia, Lituania, Malajzia 166
13- Estoni 165
14- Polonia 163
15- Monako 162