Rusia do të paguajë një çmim të lartë politik sidomos në aspektin ekonomik, nëse shkel sovranitetin e Ukrainës, deklaroi ministrja e re e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, e gjelbra Annalena Baerbock, pas takimit me homologun francez Jean-Yves Le Drian në Paris.
”Integriteti dhe sovraniteti i Ukrainës nuk janë të negociueshme”, theksoi ministrja e re.
Baerbock përsëriti rëndësinë e “impulsit franko-gjerman për Evropën” dhe mbështetjen gjermane për presidencën franceze të BE-së.
Ndërsa ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Resnikov paralajmëroi në një intervistë për CNN se një pushtim rus i Ukrainës do të nënkuptonte një “masakër vërtet të përgjakshme”. Qeveria në Moskë, nga ana tjetër, kërkoi një garanci nga lidershipi në Kiev për të mos sulmuar zonat në Donbas të kontrolluara nga separatistët pro-rusë. Pala ruse pohon se në rast të një sulmi nga Ukraina, doktrina ushtarake e Rusisë do të parashikonte qartë një pushtim – sepse shumë qytetarë rusë jetojnë në Donbas.