Extra Gjermania sekuestron superjahtin 600 milionë dollarësh të oligarkut rus, mik i Putin

Gjermania sekuestron superjahtin 600 milionë dollarësh të oligarkut rus, mik i Putin

Agjencia Gjermane e Lajmeve, DPA, raporton se autoritetet vendase kanë sekuestruar superjahtin me vlerë 600 milionë dollarë në pronësi të miliarderit rus, Alisher Usmanov, në një port në Hamburg.

Usmanov ishte në listën e miliarderëve rusë që përballen me sanksione të Bashkimit Europian, si kundërpërgjigje për pushtimin e Ukrianës.

Revista “Forbes” thotë se jahti, i quajtur Dilbar, është 156 metra i gjatë dhe ka një vlerë prej 600 milionë dollarësh. Ai konsiderohet edhe si jahti motorik i tonazhit të lartë më i madh në botë. Jahti qëndronte prej tetorit të kaluar në portin e Hamburgut, pranë kompanisë së ndërtimit të anijeve “Blohm+Voss”.

Autoritetet gjermane dhe Usmanov nuk kanë komentuar ende mbi sekuestrimin, por këshilltari i ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Anton Geraschenko, tha se jahti duhet të dërgohet në Ukrainë dhe të rimodelohet si anije luftarake.

Usmanov e bleu jahtin DIlbar në vitin 2016, për 600 milionë dollarë, nga kompania gjermane e prodhimit të anijeve, “Lürssen”, e cila e ndërtoi mjetin lundrues luksoz për 52 muaj, duke e personalizuar sipas kërkesave të oligarkut rus. Sipas kompanisë, ai është jahti më kompleks dhe më sfidues për t’u ndërtuar.

Jahti peshon gati 16 mijë tonë dhe zakonisht ka një ekuipazh prej 96 personash. Ai ka 12 suita, ku mund të qëndrojnë deri në 24 pasagjerë. Gjithashtu, ka pishinën më të madhe në botë të ndërtuar brenda një jahti, si dhe ka sauna, sallon bukurie, palestër dhe sigurisht një pistë për uljen e helikopterëve.

Kush është Alisher Usmanov?

Alisher Burkhanovich Usmanov është një biznesmen rus, i lindur në Uzbekistan. Pasuria e tij vlerësohet se është gati 18 miliardë dollarë.

Usmanov u pasurua pas rënies së Bashkimit Sovjetik, përmes minierave dhe investimeve. Ai është aksioner kruyesor i Metalloinvest, një konglomerat industrial rus që ka asete në disa kompani të tjera të mëdha në Rusi. Ai gjithashtu është pronar i shtëpisë botuese “Kommersant” dhe bashkëpronar i kompanisë së dytë më të madhe të telefonisë në Rusi, MegaFon. Për disa kohë, ka qenë aksioner i klubit anglez të futbollit Arsenal, ndërsa mban edhe postin e Presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Skermës.