Hansi Flick nuk është më trajner i Gjermanisë, ai u shkarkua si pasojë e rezultateve të dobëta, që kulmuan me humbjen 1-4 në miqësoren me Japoninë. Ishte pika klasike në fakt, që derdhi gotën e ujit.
Kombëtarja e drejtuar nga Flick u eliminua që në turin e parë të Botërorit të Katarit, por në atë moment Flick u konfirmua. Tani nuk ka më durim për drejtuesit e Federatës Gjermane të Futbollit, ndërkohë që në shtyp flitet edhe për një komplot nga ana e lojtarëve ndaj tashmë ish-trajnerit të tyre.
Favorit për t’u ulur në stolin e ‘Pancerave’ është Julian Nagelsmann, i shkarkuar nga Bajerni disa muaj më parë për arsye që kurrë nuk u bënë të qarta.
Ëndrra e Federatës është Klopp, por që vështirë do të lihet i lirë nga Liverpool. Nagelsmann nuk bind. Nuk përjashtohet edhe trajner i huaj. Do të ishte hera e parë në historinë e futbollit gjerman.
Në krye të skuadrës për ndeshjen me Francën do të jetë Rudi Völler, i emëruar trajner i përkohshëm.