Gjermania i bën thirrje Bullgarisë që të mos bllokojë të gjithë Bashkimin Europian për shkak të përplasjes dypalëshe që ka me Maqedoninë e Veriut dhe të lejojë mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare rrjedhimisht edhe me Shqipërinë.
“Le t’i lëmë problematikat dypalëshe që të diskutohen mes dy palëve pa bllokuar të gjithë Bashkimin Europian që të ecë përpara. Le të mendojmë në mënyrë strategjike dhe të kuptojmë nevojën e përmbushjes së detyrimeve tona ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nuk kemi asnjë interes që të lëmë një vakuum strategjik atje”, shkroi përmes rrjeteve sociale, ministri gjerman i Europës, Michael Roth.
Duke shpërndarë këtë postim të diplomatit gjerman, ish-ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati vëren se prej tre vitesh procesi i negociatave jo vetëm ka ngecur në vend, por po shndërrohet në një problem moral për Bashkimin Eurpian.
“Kanë kaluar tre vite që nga qershori i 2018-s, kur Këshilli i Europës projektoi anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Asnjë hap thelbësor përpara nga BE që atëherë. Ky nuk është vetëm vakuum, apo stanjacion. Negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po shndërrohen më shumë në një problem moral për BE”, shkruan Bushati.