Gjermania thyen paktin europian dhe blen 30 milionë doza shtesë të vaksinës së Pfizer dhe Biontech, në sajë të një marrëveshje dypalëshe.
Lajmi u publikua fillimisht tek e përditshmja Bild, sipas së cilës ka një marrëveshje analoge për rreth 50 milionë doza me amerikanen Moderna, e më pas u konfirmua edhe nga Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn.
Berlini devijon kështu nga pakti për solidaritet mes shteteve anëtare, për t’i siguruar në mënyrë kolektive vaksinat. Siç mësohet, qeveria Merkel ka lidhur ujdi me Biontech që i ka zyrat në Gjermani për të rritur prodhimin e vaksinës në tokën gjermane.
Një ish-fabrikë e Novartis në Marburg do të shfrytëzohet nga Biontech për të prodhuar më shumë doza nga muaji shkurt. Më herët, ministri gjerman kishte premtuar se nuk do të përfitonin nga fakti, se vaksina e parë e aprovuar në BE vinte nga një kompani gjermane.
Lajmi është komentuar me nota zhgënjimi rreth Europës, dhe polemika ka pasur për shpërndarjen e padrejtë të dozave të para, me Gjermaninë që ka siguruar më shumë se shtetet e tjera.
Ndërkaq, një ngarkesë me 470 mijë doza rrezikon të mbetet në Belgjikë, për shkak të motit të keq me borë. Një sërë rajonesh, përshirë ato të Ligurias dhe Piemontes në Itali nuk kanë nisur ende vaksinimin. Problematike po rezulton edhe transporti i dozave, me Gjermaninë që njoftoi se do të hidhte 1 mijë të tilla pasi nuk ishin ruajtur në temperaturën e duhur.
Spanja ndërkohë, do të mbajë një regjistër me personat që do të vendosin të mos vaksinohen, të cilin më pas do ta ndajë me vendet e tjera të BE-së.
Ministri spanjoll i Shëndetësisë, Salvador Illa përsëriti se vaksinimi kundër COVID nuk do të bëhet i detyrueshëm. “Ajo që do të bëhet është një regjistër, i cili do të ndahet me partnerët tanë evropianë, me emrat e atyre njerëzve të cilëve iu është ofruar dhe thjesht e kanë refuzuar atë”, tha ai.
Përqindja e spanjollëve që nuk dëshirojnë të marrin një vaksinë Covid-19 ka rënë në 28 për qind në dhjetor nga 47 për qind muajin e kaluar, sipas një sondazhi të botuar muajin e kaluar.
Spanja ka qenë një nga vendet më të goditura të Europës nga pandemia.