Gjermania bëhet gati të zbusë edhe më tej kufizimet, mes përmirësimit të vazhdueshëm të situatës pandemike.
Vendi ishte mes të parëve që lehtësoi masat duke lejuar shërbesat fetare dhe rihapjen e dyqaneve, por tani po mendohet të bëhet një hap tjetër në këtë drejtim.
Kancelarja Merkel do të diskutojë me krerët e 16 landeve lidhur me planin e ri. Mbi bazë të draft-marrëveshjes, vendimet se sa shpejt të do të bëhet rihapja, do të merren nga shtetet e jo qeveria federale.
Landet po përpiqen të ecin përpara në ritme të ndryshme, me Bavarinë që ka në plan të rihapë restorantet më 18 maj, ndërsa Meklenburg, Pomerania perëndimore planifikon ta bëjë të shtunën. Sipas agjencisë së lajmeve DPA, qeveria synon qe të gjithë nxënësit të kthehen gradualisht në shkolla. Por, nëse kurba e infektimeve do të rritet, plani parashikon rivendosjen e kufizimeve. Gjermania raportoi 947 raste me Covid-19 të mërkurën, ndërsa viktimat ishin 165.
Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Britaninë e Madhe është rritur në 29.876, pasi gjatë 24 orëve të fundit u raportuan 449 viktima të tjera. Këtë të mërkurë u shënua edhe shifra më e ulët ditore që nga fundi i marsit. Aktualisht, Britani e Madhe ka numrin më të lartë të vdekjeve të konfirmuara në Evropë nga koronavirusi.
Shifrat u bënë të ditura këtë të mërkurë nga vetë kryeministri Boris Johnson, i cili raportoi sot për herë të parë që kur arriti të fitonte ndaj virusi.
Në Spanjë, jetët e humbura i tejkaluan 200 për herë të parë që prej së shtunës, me 244 viktima të shënuara në 24 orët e fundit. Kryeministri Pedro Sanchez i kërkoi parlamentit të zgjasë gjendjen e emergjencës për disa javë të tjera, duke thënë se ishin shumë afër fundit, por se nuk kishin mbërritur ende atje.
Gjithashtu, Senati francez votoi projektligjin që zgjaste gjendjen e emergjencës shëndetësore deri në 10 korrik. Deri më sot, Franca numëron mbi 25 mijë e 500 viktima nga Covid-19, 330 prej të cilëve në 24 orët e fundit.