Grupi i vullnetarëve është kthyer në Shqipëri pas qëndrimit në zonat e prekura nga tërmetet për rreth një javë, duke u angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në Malatya, ndërkohë ata rrëfejnë mes lotësh përjetimet dhe punën në terren
Pas tërmeteve shkatërrimtare në Turqi, përveç ekipit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, u angazhuan në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi edhe një grup vullnetarësh shqiptarë, të cilët janë kthyer në Shqipëri.
Grupi i vullnetarëve i përbërë prej 10 personash është kthyer në Shqipëri më 15 shkurt me avion, pas qëndrimit në zonat e prekura nga tërmetet për rreth një javë, duke u angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në Malatya, ndërkohë për Anadolu ata rrëfejnë mes lotësh dhe emocionesh përjetimet dhe punën në terren.
Drejtuesi i grupit të vullnetarëve dhe njëkohësisht drejtuesi i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile të Shqipërisë, Nebi Muçaj, tregon se moment prekës për ata si ekip ishte kur gjetën babë e bir pajetë nën rrënoja të përqafuar me njëri-tjetrin.
“Kur gjenim një njeri pajetë ishte një dhimbje sikur të ishte një familjar i jonë”
Muçaj tha se skenat kanë qenë fatkeqësisht dramatike atje ku operuan forcat e tyre, duke nxjerrë veç viktima. Ai rrëfen se kur gjenim një njeri pajetë, “ishte me të vërtetë një dhimbje që ta them sinqerisht sikur ishte një familjar i jonë”.
“Episodi që ishte më prekës jo vetëm për mua, por për të gjithë ekipet që ishin aty ka qenë gjetja e babë e bir të përqafuar përjetësisht nën rrënoja. Ishte shumë dhimbje e madhe për të gjithë. Fillimisht pamë dorën e fëmijës, pastaj duke gërmuar gradualisht u zbulua edhe trupi i babait të fëmijës, ashtu mbështjellë siç e ‘pushton’ një baba fëmijën e vet në atë dashurinë e përditshme, ashtu e pamë të përqafuar, të përjetshëm këtë përqafim”, tha Muçaj.
Ai mes lotësh tha se familjarët ishin aty në rrethinat të objektit ku punohej me shpresën se po dilte një njeriu i tyre me jetë, por edhe njeriu i tyre pajetë.
“Në një moment pashë një fotografi të një çifti të sapomartuar e cila më goditi në zemër kur e pashë dhe në ato momente mendova që jeta është e shenjtë, është e përkohshme. Por të shikosh atë lumturi, atë buzëqeshje të asaj fotografie të përzier me atë rrënojë, me ato gurë, hekura, të bën të reflektosh që jeta është e çmuar. Më ka ngelur në memorie dhe më duket sikur atë fotografi e kam brenda në zemrën time”, tha Muçaj.
Një tjetër vullnetar nga Shqipëria ishte edhe Shkëlzen Shatri, i caktuar si specialit i kërkim-shpëtimit dhe ndihmës së parë, ndërsa për Anadolu ai tregon se filluan operacionin pa ndërprerje, duke gërmuar dhe lutur Zotit që të shpëtojnë jetë.
“Isha shumë i emocionuar që të mbërrija sa më shpejt ku ishim të caktuar që do të operonim, që të jepnim maksimumin, që të nxirrnim një jetë nga ato rrënoja. Aty gjetëm edhe pjesëtarë të forcave tona të ushtrisë”, tha ai.
Një ngjarje shumë e dhimbshme dhe shumë prekëse, tregon ai, ishte momenti kur “ne pamë skemën kur një baba u nxor bashkë me të birin e tij, ku babai i kishte hedhur dorën sipër për ta mbrojtur. Ishte vërtet diçka që të prekte thellësisht”.
Gjatë kthimit në Shqipëri, Shatri, shkëmben me një ushtar turk edhe një stemë me mbiemrat e tyre, duke i dhuruar njëri-tjetrit stemat me mbiemrat e tyre, i cili ai e mbante gjatë operacioneve përbri stemës së dhuruar po nga një oficer turk gjatë një misioni paqeruajtës në Bosnje dhe Hercegovinë, kur ishte pjesë e Ushtrisë së Shqipërisë.
“Këtë stemë e kam kujtim nga një oficer turk në Bosnjë dhe Hercegovinë në 2009. Unë mora dhe një mbiemër të një ushtari tjetër. Unë i dhashë mbiemrin tim, ma kërkoi ai që t’i shkëmbyem dhe unë me kënaqësi ia dhurova, ai më dhuroi mbiemrin e tij Atas, ky shkëmbim mbiemrash ndodhi në aeroportin e Malatya-s”, tha Shatri.
“Atje thonim të heqim një gur, mbase shpëtojmë një jetë”
Pjesë e ekipit të vullnetarëve nga Shqipëria ishte edhe Bujar Rrapo, i caktuar si specialist për kërkimin nën rrënoja, ku i përlotur ai tregon se qytetarët prisnin prej tyre se çfarë do ju thonin për operacionet e kërkim-shpëtimit dhe gjetjen e të afërmeve të tyre.
“Ne këtu në Tiranë e kemi (shprehjen) mbjell një pemë, dhuro një jetë, atje thonim të heqim një gur, mbase shpëtojmë një jetë. Momenti kur kemi gjetur një person (pa jetë), i kemi gjetur këmbët, aty ishte momenti më i keq. E mblidhnim atë zhavorrin me dorë, nuk pyesnim se do të çaheshim, donim që të kishim një shpresë që të nxirrnim një të gjallë, por ishte e pamundur”, tha ai.
Rrapo tha se “episodi më i dhimbshëm ishte që më ka mbetur në memorie për tërë jetën një familjar që ulëriste, thërriste dhe i binte telefonit të vëllait të tij”.
“Telefoni punonte, por nuk dëgjonte zëra. Në atë moment jemi futur nën gërmadha, jemi futur poshtë, por zëra nuk kemi dëgjuar. Përsëri dolëm, ai na shikonte në sy dhe mua më ka mbetur në memorie ajo dhimbje e madhe e tij. Më vonë u gjend trupi pajetë fatkeqësisht”, tregon Rrapo.
Gjithashtu një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë në total 73 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit, si dhe disa mjete, u dërguan në Turqi për të marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit./ Anadolu Agency