Ilir Meta i hodhi poshtë akuzat se ka qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, pasi Autoriteti i Dosjeve përmendi emrin e tij si të përfshirë në dokumentet e këtij institucioni të diktaturës komuniste.
“Nuk ka shqiptar mbi këtë tokë që nuk e kupton që me këtë akt vetëvrasës – sepse Autoriteti i Dosjeve para se të jetë ligjor, është moral. Është për të ardhur keq për sjelljen e Autoritetit të manipulimit të dosjeve. Sepse e dinë që çfarë ka të manipuluar në ato dosje. Me një e-mail anonim, që kur të zbulohet do gajaseni të gjithë, na qenka zbuluar që pas 30 e ca vitesh, I.M. qenka ky njeri i cili që në mars të vitit 1992 është bërë deputet dhe iu është nënshtruar të gjithë filtrave të të gjithë komisioneve të të gjitha kohërave. Që nga filtri i Berishës, ku nuk kaloi gjysma e atyre që ishin pjesë e partisë ku unë bëja pjesë, tashmë të kthyer në parti patronazhistësh dhe fuskash”, tha Meta.
“Pse u dashka bërë me urgjencë një ligj i posaçëm? Dhe patjetër u ngrit Parlamenti në këmbë? Po cili Parlament, ai me në krye zonjën Nikolla, apo Lindita e Ramës që vepron me urdhër për të tërhequr vëmendjen nga afera e inceneratorëve. Për atë do të përvëlohen të gjithë si minjtë në furrën e drejtësisë”.
Meta tha se askush nuk e ka penguar Autoritetin e Dosjeve të bëjë publik emrin e tij edhe më parë dhe shtoi se nuk ka pasur asnjë komunikim me Autoritetin e Dosjeve. “Kush e ka ndaluar këtë autoritet të bëjë publike sesa I.M kanë qenë në Fakultetin e Ekonomisë, sa I.M. kanë qenë në klasën time. Unë në atë kohë kam qenë vetëm sekretar i rinisë së Fakultetit të Ekonomisë, i zgjedhur se isha pothuajse me të gjitha 10-ta, por edhe kisha aftësi si lider që atëherë. Në klasën time kemi qenë Ilir Metaj. Dhe na e vinin Ilir Rexhep Metaj dhe Ilir… nuk po ia përmend emrin por jam i sigurt se nuk ka qenë”, tha Meta.