Mbrojtësi shqiptar i Hellas Verona vlen të paktën 30 milionë euro. Siç raportohet sot nga “La Gazzetta dello Sport”, shumë klube të huaja janë të interesuara për Marash Kumbulla. Përveç Manchester United dhe Manchester City, Liverpool dhe Borussia Dortmund e kanë përfshirë në planet e tyre të merkatos. Edhe të mëdhenjtë e Spanjës po e ndjekin me mjaft interes atë.
Garë e fortë në Itali
Në Itali, natyrisht, ka një radhë. Interi tashmë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm, Napoli mbetet shumë i vëmendshëm. Juve është duke pritur dhe menduar për angazhimin vendimtar, siç ka bërë tashmë me Dejan Kulusevski. Menaxhmenti i Hellas Verona po përgatitet për shitjen e talentit shqiptar, çmimi i të cilit është rritur shumë. Në verë, ai pritet të jetë kryefjalë e merkatos. “Ankandi” duket i hapur, me gjigantët e kontinentit pjesëmarrës në të.
Vlerësimi i Reja-s
Trajneri i Shqipërisë, Edy Reja, në një intervistë për L’Arenan, ka folur me superlativa për mbrojtësin shqiptar Marash Kumbulla.
“Te Napoli u thashë që të merrnin menjëherë Kumbullën. Ai ka moshën e duhur, fizikun e fortë dhe është një djalosh shumë serioz, por për momentin nuk kaloi te napolitanët.
Dy vite më parë, ai duhet të përfundonte te Juventusi, por disa nga menaxherët e Veronës dhe disa nga familjarët e tij preferuan të rritej në Verona. Shqipëria? Nga Italia nuk e thirri askush, kështu që unë e thirra dhe i dhashë mundësinë të debutonte me vendin e tij të origjinës”.