Ekonomi Gjigantët që u pasuruan nga pandemia, rasti i Google

Gjigantët që u pasuruan nga pandemia, rasti i Google

Ajo që është thënë shpesh përgjatë dy viteve të fundit është se gjigantët e teknologjisë dolën më të fituarit nga pandemia. Bloomberg sjell rastin e Google dhe fitimet që gjeneroi ajo nga situata e krijuar nga Covid-19.

Me heqjen e kufizimeve, gjithnjë e më shumë njerëz po rezervojnë online udhëtime dhe hotele, gjë që shkon në favor të biznesit të reklamave që bën Google. Njëkohësisht, punonjësit e Google, po punojnë nga shtëpia dhe nuk po udhëtojnë si më parë me shpenzimet e kompanisë.

Gjatë tremujorit të parë, kompania mëmë e Google, Alphabet Inc., kurseu 268 milionë dollarë, kosto kjo që do të shkonte për promovimet e kompanisë, udhëtimet dhe argëtimet, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, “kryesisht si rezultat i COVID-19”.

Në bazë vjetore, kjo i bie të jetë më shumë se 1 miliard dollarë. Në të vërtetë, Alphabet tha në raportin e saj vjetor në fillim të këtij viti se shpenzimet e reklamimit dhe promovimit ranë me 1.4 miliardë dollarë në vitin 2020 pasi kompania zvogëloi shpenzimet, ndaloi ose planifikoi fushata dhe i kaloi disa evente online. Shpenzimet e udhëtimit dhe argëtimit ranë me 371 milionë dollarë.

Kursimet kompensuan shumë nga kostot që solli punësimi i mijëra punëtorëve të tjerë. Menaxhimi i matur i bëri të mundur kompanisë të mbante stabël kostot e marketingut dhe ato administrative përgjatë tremujorit të parë, pavarësisht rritjes së të ardhurave me 34%.

Ndryshe nga kompani të tjera, Google ofron për punonjësit benefite si masazhe, ushqim dhe leje të paguar, të cilat kanë ndikuar në pjesën më të madhe të kulturës së punës në Silicon Valley. Shumica e stafit të Google kanë punuar në distancë dhe rrjedhimisht kompania nuk ka pasur kosto për këto shërbime gjatë vitit 2020.

Përvoja që krijoi Covid-19 po ndryshon edhe mënyrën si do të punohet në të ardhmen. Kompania po planifikon një model “hibrid” pune, duke lejuar punën nga shtëpia për një pjesë të punonjësve të zyrave të mëdha.