Partia Socialiste mblodhi kryesinë këtë të premte. Sekretari i Përgjithshëm i selisë rozë, Damian Gjiknuri në një prononcim për mediat tregoi se cilat tema kanë qenë në fokus të diskutimeve. Gjiknuri tha se në fokus ka qenë pjesa e riorganizimit dhe raportimi i sekretarëve për punët e bëra.
“Kishte fokus pjesën organizimit dhe raportimin e gazetarëve në lidhje me punët e bëra, kryesisht fokusi i strukturës dixhitale, i organizimit me gratë dhe gjithë ai proces organizativ që kemi nisur për ta kthyer PS në një forcë gjithmonë permanente, të aftë, nga pikëpamja elektorale, jo vetëm në periudha zgjedhore”, tha ai.
Gjiknuri tha se PS është gati për zgjedhje të pjesshme vendore nëse dekretohen nga Presidenti Ilir Meta.
“Ne jemi gati për zgjedhje të pjesshme vendore nëse Presidenti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do t’i dekretojë ato. Kjo është një çështje pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të thotë që brenda 45 ditësh ai duhet të dekretojë zgjedhjet. Jemi të gatshëm që të marrim pjesë në zgjedhje dhe t’i fitojmë ato”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri tha se sapo të plotësohen procedurat e nevojshme parlamentare, do të ngrihet Komisioni i Reformës Zgjedhore. Ai u shpreh se nuk sheh asnjë pengesë për ngritjen e komisionit.
“Komisioni i Reformës zgjedhore, është komision që në traditën e çdo kohe, ka qenë komision bipartizan dhe pas marrjes së kërkesës së PD shumë shpejt besoj procedurat parlamentare do të vendosin ngritjen e këtij komisionit. Nuk shoh ndonjë pengesë. Kemi thënë vazhdimisht Për çështjet që ka një traditë parlamentare që është bashkëpunimi dhe ka një nevojë që kanë dalë disa rekomandime nga raporti i OSBE/ODIHR PS, PD dhe të tjerë duhet të jenë pjesë e komisionit”.
Gjiknuri tha se është herët për të folur për ndryshime, por ato duhen bazuar në rekomandimet e raportit të ODIHR.