Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri është thirrur mëngjesin e kësaj të premteje në SPAK.
Mësohet se Gjiknuri është thirrur me kërkesë të prokurorit Dritan Prençi për të dëshmuar në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e abuzimeve të ndodhura gjatë zbatimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Në një deklaratë për mediat para ambienteve të SPAK, Gjiknuri tha se është pyetur për rolin e tij si ministër. Shkurtimisht ai u shpreh se është abuzuar me ndërtimin e rrugës duke mos dhënë më shumë detaje pasi çështja është ende nën hetim.
“Isha për të dëshmuar në lidhje me rolin tim si Ministër në konstatimin e një nga abuzimeve më të mëdha në historinë e rrugëve në Shqipëri. Rruga Tiranë-Elbasan e cila ishte kontraktuar me 250 milionë euro dhe përfundoi me një kosto 400 milionë euro. Shpjegimet e mia i dhashë në Prokurori, kështu që s’kam ndonjë gjë për të shtuar”, deklaroi Gjiknuri.
Gjiknuri, në kohën kur ishte Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë kallëzoi në prokurori abuzimet e konstatuara nga raporti i auditit të kryer për zbatimin e këtij projekti dhe përgjegjësitë e ish-drejtuesve të ARRSH.
Ai urdhëroi auditin dhe dorëzoi kallëzimin në Dhjetor të vitit 2017. Ai dha sot sërish shpjegime për këtë çështje pas pafajësisë që morën ish-zyrtarët e kallëzuar.