Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, u shpreh pas takimit të sotëm se PD nuk do që hapja e listave të trajtohet në këtë Këshill.
“Sot ishte mbledhja e fundit e Këshillit Politik për pjesën e parë të reformës zgjedhore, ku miratuam edhe formalisht, pasi pëlqimi ishte dhënë me kohë, në lidhje me të gjitha paketat e mbetura ligjore.
Propozova që të vazhdonim diskutimin në lidhje me ndryshimet kushtetuese që mundësojnë hapjen e listave të kandidimit. Fatkeqësisht, opozita nuk kërkon që kjo çështje të trajtohet në Këshill, megjithëse thirrja jonë dhe e partnerëve ka qenë që të dialogohet edhe për këtë çështje. Ne kërkuam që ne ta prekim edhe këtë çështje, por nuk patën dakordësi në këtë drejtim. Siç duket PD nuk kërkon të vazhdohet më në këtë drejtim”, u shpreh Gjiknuri pas takimit të sotëm në Këshill.
Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik, u shpreh pas takimit të sotëm se çdo veprim i njëanshëm minon dhe nxjerr nga shinat marrëveshjen e 5 qershorit.
“Në mbledhjen e sotme, opozita zbatoi pjesën tjetër të marrëveshjes së 5 qershorit, që kishte të bënte me çështje të shitblerjes së votës dhe çdo vepër tjetër penale që dëmton zgjedhjet, një paketë që sot u dakordësua dhe që është e detyrueshme për parlamentin dhe duhet miratuar pa ndryshime. Sigurisht, kjo nuk e mbyll marrëveshjen e “5 qershorit” pasi është edhe depolitizimi i administratës zgjedhore. Është rënë dakord që pas zgjedhjeve të ardhshme, administrata zgjedhore duhet të jetë miks dhe ata që do të marrin vendime nuk do të jenë administrator politik, por të caktuar jashtë politikës.
Gjithashtu, ne bëmë të qartë se çdo veprim i njëanshëm minon dhe nxjerr nga shinat marrëveshjen e 5 qershorit. Çdo gjë për ndryshimin e kodit shkatërron atë marrëveshje të rëndësishme”, u shpreh Bylykbashi.
Ndërkohë, Petrit Vasili, përfaqësues i LSI-së në këtë Këshill u shpreh se në takimin e sotëm të Këshillit Politik kanë qenë edhe ndryshimet kushtetuese, që kanë të bëjnë me listat e hapura. “Propozimi është depozituar vetëm para dy ditësh në tavolinën e Këshillit Politik dhe ky diskutim është imponuar që të kryhet vetëm brenda 6 ditësh. Në qoftë se për marrëveshjen e 5 qershorit u deshën mbi 6 muaj, tashmë kërkohet që kushtetuta të ndryshohet brenda 6 ditëve. Këshilli Politik mund të diskutojë edhe këtë çështje, por jo brenda 6 ditëve”, tha Vasili.