Deputeti socialist Damian Gjiknuri ka shpjeguar sot në Kuvend të gjitha propozimet e bëra nga mazhoranca për ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Fjalën e tij e nisi duke e cilësuar këtë ditë si një hap të madh drejt normalizimit të situatës politike.
“Sot para nesh kemi një copëz të legjislacionit zgjedhor, fatkeqësisht jo produkt i Reformës Zgjedhore. Pas dy vitesh përpjekje të vazhdueshme nuk arritëm të realizojmë një reformë të plotë që do adresonte të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Por sot kemi këtë copëz që premton, qartësi të mënyrë së kandidimit dhe votën e diasporës. Nuk është arritje e vogël po të marrësh parasysh klimën e rënduar politike, vështirësive që ka pasur opozita në artikulimin e vendimeve të saj në mënyrë të unifikuar apo pasojat që nga reforma e fundit zgjedhore e vitit 2020.”
Më pas ai u ndal te vota e diasporës, ku theksoi se zgjedhësit do regjistrohen në një listë të veçantë.
Më pas dokumentacioni, do dërgohet përmes një platforme elektronike te KQZ dhe vota do llogaritet te qarku ku emigranti ka banuar për herë të fundit.
“Paketa zgjedhore zgjidh në mënyrë shteruese të gjitha boshllëqet e konstatuara nga Gjykata Kushtetuese. Qasje liberale për çdo shqiptar që jeton jashtë vendit i cili do të mund të regjistrohet dhe të votojë në zgjedhjet e 2025-ës. Do regjistrohet në listë të veçantë që administrohet nga KQZ. Dokumentacioni do ketë çdo informacion të nevojshëm për identitetin e tij dhe adresën e saktë. Do ketë një platformë elektronike që mundëson ndërveprimin me sistemin aktual të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Zgjedhësit nga jashtë i jepet kohë e mjaftueshme për të çuar fletën mbrapsht e njëkohësisht për t’u fshirë nga lista e qarkut ku ka banuar për herë të fundit. Me shpenzimet e saj, KQZ dërgon materialin, udhëzuesit dhe fletët e votimit. Zarfat do dërgohen në KQZ pasi hyjnë në vend jo më vonë se orari zyrtar i mbylljes së votimit. Vota do llogaritet me qarkun ku ka pasur vendbanimin e fundit, do numërohet me votat e qarkut respektiv.”
Gjiknuri u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare që të mbështesin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të realizuar me sukses gjithë procesin.