Sport Gjimshiti, shqiptari i parë fitues i Europa League: Përfshihet në 11-ën më...

Gjimshiti, shqiptari i parë fitues i Europa League: Përfshihet në 11-ën më të mirë të sezonit

Berat Gjimshiti ishte padyshim protagonist në suksesin e parë historik të Atalantës në arenën europiane. Mbrojtësi u bë lojtari i parë i kombëtares shqiptare që fiton Europa League për të pasur suksesin e dy viteve më parë të Marash Kumbullës me Romën ku fitoi Conference League.

Me shiritin e kapitenit në krah, mbrojtësi i kombëtares shqiptare dhuroi një tjetër performancë pozitive në finalen e madhe ndaj Bayer Leverkusen.

31-vjeçari u ndëshkua shumë shpejt me karton të verdhë, çka solli dhe rënie në agresivitetin e tij, gjithsesi, ishte një garanci në prapavijën e Bergamaskëve.

Kjo performancë e këtij sezoni ka shpërblyer djersën e Gjimshitit. Mbrojtësi është përfshirë në 11-ën më të mirë të sezonit 2023-2024 në Europa League me notën 7.2.

“Është e vështirë të gjesh fjalët në këtë moment. Vështirë se mund ta kuptoj se çfarë bëmë. Ky është një sukses i madh, veçanërisht pasi humbëm finalen e Kupës së Italisë. Kam 8 vite te Atalanta dhe vendosa ta ngre lart trofeun së bashku me De Ron. Jam krenar që mbajta shiritin e kapitenit”.

Qendërmbrojtësi kuqezi ka luajtur të 12-të takimet e Europa League si titullarë, ku ka qenë mesatarisht në fushë për 87 minuta. Praktikisht çdo minutë në lojë për Atalantën, ku ka qenë pjesë e formacionit më të mirë të javës në tre raste, ndërsa ka shënuar edhe një gol.